Pretendimi: Kjo vajzë po kërcen në një kryqëzim të ish-Bllokut në Tiranë
Verdikti: E pavërtetë
Tirana është një nga destinacionet kryesore të jetës së natës në rajon dhe zona e ish-Bllokut është një nga më atraktivet për të rinjtë që duan të argëtohen. Megjithatë, një video e ndarë në rrjetin Instagram pretendon se vajzat kanë nisur të kërcejnë edhe në rrugë së fundmi në këtë pjesë të Tiranës.
“Jeta në Bllok ka evoluar dhe tashmë njerëzit ndihen të lirë të kërcejnë ku të duan siç bën dhe kjo vajzë që pa diskutim i ka ‘tërbuar’ djemtë në makinën afër kryqëzimit!”- shkruhet ndër të tjera krahas pamjeve.
Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
Video ka marrë mbi 4.300 pëlqime në vetëm dy ditë që është postuar dhe shoqërohet edhe me këshillën që të mos ndiqen mediat e tjera tradicionale “prej të cilave asgjë nuk fituam gjithë këto vite”.
Ne bëmë një verifikim të pamjeve, duke përdorur “Google Lens” ku gjetëm një video me të plotë nga kërcimi i vajzës. Nëse do të shohim zonën rreth e rrotull duket qartë që nuk është xhiruar në zonën e ish-Bllokut.
Në këtë pamje dallohet edhe një makinë policie që nuk ngjan aspak me mjetet e përdorur nga policia shqiptare. Gjithashtu, vihet re një taksi e bardhë me të verdhë që nuk është modeli i një taksie që përdoret në Tiranë.
Veç kësaj vumë re që video ishte shpërndarë në llogari të ndryshme në Instagram apo edhe në TikTok në gjuhë të huaj.
Në rrjetet sociale të shpërndara në gjuhë të huaj thuhet se skena e vajzës duke kërcyer është xhiruar në Azerbajxhan.
Pavarësisht pretendimeve se vajza që kërcen është filmuar në ish-Bllok, pamjet e plota tregojnë qartë se nuk është një video e xhiruar në atë zonë.