Pretendimi: Kjo video tregon një re artificiale që po bie nga qielli
Verdikti: Mungon konteksti
———————————————————-
Në një video që po qarkullon në rrjetet sociale pretendohet se tregohet një re duke rënë nga qielli. Kjo pamje e pazakonshme lidhet në rrethet konspiracioniste me dyshimet për mbjelljen artificiale të reve nga programet qeveritare dhe manipulime të tjera të motit.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video është xhiruar në Kalimantan në Indonezi. Sipas Agjencisë indoneziane të Meteorologjisë, Klimatologjisë dhe Gjeofizikës (BMKG), “fenomeni me shumë gjasa nuk është një re natyrore, por një kondensim i avullit të ujit ose gazit për shkak të aktivitetit njerëzor që ndodh në zonën e minierave.”
Në video shfaqen punonjës me kasketat mbrojtëse të minatorëve, ndërkohë që rajoni ku thuhet se janë filmuar pamjet është i njohur për miniera ari, të cilat shpesh janë edhe ilegale.
Kreu i BMKG, Andri Ramdhani, tha për mediat vendase se retë nuk mund të bien në sipërfaqe si grumbuj të dendur, sepse grimcat janë shumë të lehta dhe të shpërndara me densitet të ulët.
Kjo ndodh sepse retë janë një grumbull pikash uji shumë të vogla dhe të lehta ose kristalesh akulli, kështu që ato pluskojnë në atmosferë me ndihmën e rrymave të ajrit.
Grimcat e reve zakonisht avullojnë para se të arrijnë në tokë, veçanërisht kur ndodhin ndryshime mjedisore. Prandaj, tha ai, fenomeni në video me shumë mundësi nuk është një re natyrore, por një kondensim i avullit të ujit ose gazit për shkak të aktivitetit teknik ose operacional.
Sipas tij, ky fenomen mund të ndodhë për shkak të lëshimit të gazit me presion të lartë nga aktivitetet minerare, bashkuar me temperaturat e ulëta dhe lagështinë e lartë që lejojnë formimin e avullit të kondensimit.
“Ky avull ose gaz është shpesh më i dendur se retë natyrore, kështu që duket sikur mund të preket ose mbahet në dorë. Megjithatë, ky është vetëm një efekt vizual, sepse ajo që në fakt duket vetëm një grumbull i përkohshëm avulli,” shpjegoi Ramdhani.
BMKG theksoi se ky fenomen nuk është i rrezikshëm dhe është i përkohshëm.