Pretendimi: Video e kësaj dhie që ka hipur mbi tela është filmuar në Kamëz

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

—————————————————–

Një video që ka marrë mbi 2 mijë pëlqime në Instagram duket se tregon një dhi që ka hipur mbi telat e energjisë që varen mbi një rrugë të populluar. Mbishkrimi i videos pretendon se ajo është xhiruar në Kamëz.

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video është shpërndarë masivisht në rrjet në gjuhë të ndryshme, me pretendime të ndryshme sa i përket vendndodhjes së saj.

Tabloidi britanik Daily Mail raportoi në prill 2025 se video ishte xhiruar në Ceara, Brazil.

Megjithatë, artikulli i Daily Mail nuk jep ndonjë referencë, provë apo burim që kjo video është filmuar në Brazil.

Faktoje nuk gjeti ndonjë raportim në mediat braziliane për një incident të tillë. Më tej, megjithëse video e mësipërme është shpërndarë mijëra herë në rrjet, nuk duket se ekziston asnjë pamje tjetër e të njëjtit incident.

Për krahasim, në një incident të ngjashëm në shkurt 2025, një dhi në Madrid u shpëtua nga zjarrfikësit pasi u bllokua në pragun e një dritareje në katin e pestë të një pallati.

Ngjarja u raportua gjerësisht nga media kombëtare dhe ndërkombëtare dhe pamje të ndryshme të saj gjenden lehtësisht në rrjet.

Video që po qarkullon në rrjet me gjasa është gjeneruar me anë të programeve të inteligjencës artificiale.

Një tregues fillestar është indiferenca e kalimtarëve në rrugë ndaj dhisë mbi kokat e tyre. Sikur kjo të ishte një ndodhi e zakonshme, asnjë prej tyre nuk fotografon, xhiron madje as nuk ngre kokën për ta parë.

Më tej, në video, dhia as nuk i prek gjethet që duket se po ha, gjë që është e palogjikshme.

Pyetur nga kolegët faktverifikues brazilianë të Globo, kompania e energjisë Enel, e cila i shërben shtetit të Ceara, deklaroi se nuk përdor llojin e rrjetit elektrik që shihet në video.