Pretendimi: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës ka vendosur të mbahen zgjedhje të parakohshme
Verdikti: E pavërtetë
——————————————————————————
Një postim i 19 janarit në Facebook jep lajmin: “Zgjedhje të parakohshme! KZQ sapo mori vendimin e PAPRITUR”, ndërsa fton lexuesit të marrin vesh më shumë duke klikuar lidhjen në komente.

Lajmi patjetër do të sjellë interes për publikun kosovar, i cili votoi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 28 dhjetor 2025, më pak se një muaj më parë, zgjedhje që u mbajtën pasi legjislatura e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 dështoi të konstituonte përbërjen e re të Kuvendit për muaj të tërë, duke e lënë vendin pa parlament funksional.
Megjithatë, votuesit kosovarë nuk duhet të gëzohen apo hidhërohen. Lajmi nuk është i vërtetë.
Artikulli që referohet në komente përmban tekstin identik të një artikulli të Radio Evropa e Lirë me titull: “KQZ vendos për rinumërim të plotë të votave.” Sipas tij, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës ka vendosur që do të ketë rinumërim të plotë të të gjitha votave në 28 komuna për këto zgjedhje.

Qartazi, në titull të artikullit është përmendur tërthorazi emërtimi “zgjedhje të parakohshme”, i cili i referohet zgjedhjeve të 28 dhjetorit, dhe vendimit të fundit të KQZ në Kosovë për të rinumëruar votat e këtyre zgjedhjeve.
Titulli i paqartë i lajmit që synon të krijojë idenë e zgjedhjeve të parakoshme, keqinformon me qëllim mbledhjen e sa më shumë klikimeve, reagimeve dhe komenteve.






