Veliaj-Rama në betejë juridike

Erion Veliaj ankimoi në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij

101

Sebi Alla Vendimit politik të kryeministrit Rama për shkarkimin e tij, ish-kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj iu përgjigj juridikisht, duke e ankimuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

Grupi ligjor që mbron interesat e Veliajt në njoftimin për shtyp të ditës së sotme ishte kujdesur që të vendoste tri tituj alternativ për mediat në vend, ndërsa më poshtë rendiste shkaqet ligjore dhe kushtetuese që sipas tyre justifikonte ankimin e Veliajt.

Me mbërritjen e ankesës në Kushtetuese, u caktua edhe relatorja Sonila Bejtja.

Po sot Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar shqyrtoi “dosjen Veliaj” dhe vendosi të shtyjë vendimin për në datën 10 tetor për ta kaluar ose jo për gjykim në themel.

Veliaj u arrestua më 10 shkurt të këtij viti pasi akuzohet nga Prokuroria Speciale SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe shpërdorim detyre në 13 episode.

Bashkë me Veliajn të pandehur janë marrë bashkëshortja Ajola Xoxa dhe disa biznesmenë të fushës së ndërtimit.

Me ligj, pa politikë

Më 25 gusht, Erion Veliaj preferoi të reagonte në platformën “Tik-Tok” me një mesazh që ngjau si i koduar. “Je kaq i qetë. Modaliteti i heshtur është aktiv sepse nuk më pëlqen më. Kur të flas unë t’i do jesh lajm i fundit”, shkruajti Veliaj.

Lajmi i fundit më i afërt pas këtij qëndrimi ishte 11 shtatori, kur kryeministri Rama, para se të shqiptonte emrat e ministrave të rinj, u shpreh se do i kërkonte Këshillit Bashkiak të Tiranës shkarkimin e Veliajt dhe aty për aty përcaktoi Ogerta Manastirliun si kandidate e Bashkisë Tiranë në zgjedhjet e parakohshme.

Heshtja

Veliaj sërish nuk foli dhe “lajmet e fundit” pasuan njëra-tjetrën, me shkarkimin nga këshilli bashkiak dhe miratimin e këtij vendimi nga kryeministri Edi Rama, pikërisht në mbledhjen e parë të qeverisë së re. Edhe pas këtij akti fundor procedurial, Veliaj nuk pati reagim, duke ia lënë në duar ekipit të avokatëve për të ndjekur procedurat ligjore për ankimimin në Gjykatën Kushtetuese.

Qeveria, e shpejtë vetëm me KQZ  

Paraprakisht, qeveria nuk humbi kohë, duke kaluar gati me procedurë të përshpejtuar çështjen e shkarkimit. Pa u tharë ende boja e vulës dhe firmës së kryeministrit, po më datë 25 shtator Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave nisi letër zyrtare në Komisionin Qendror Zgjedhor që e informonte për këtë vendim.

Ndërsa procedura e fundit e qeverisë është kërkesa që do të bëjë në presidencë për caktimin e datës së zgjedhjeve.

Presidenca

Burime nga presidenca i thanë Faktoje.al se deri në mesditë nuk kishte mbërritur kërkesë për “dekretim zgjedhjesh”, ndonëse për kryedemokratin Sali Berisha kreu i shtetit ishte pranë firmës së dekretimit. “Prisni nga ora 13:00 kur kukulla e Edi Ramës në Presidencë do të firmosë datën e zgjedhjeve”, tha Berisha në një konferencë shtypi.

Ngrirja e procesit

Të dyja palët e njëjta “politike”, qeveria dhe Veliaj po ndjekin udhën ligjore.

Në referencë të nenit 115 të Kushtetutës, të cilët avokatët e Veliajt e kanë si bazë për ankimimin në pikën 2 të saj thuhet: “Organi i shpërndarë ose i shkarkuar mund të ankohet në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditëve, dhe në këtë rast vendimi i Këshillit të Ministrave pezullohet”.

Kushtetuta flet për pezullim, pra ngrirje të proçesit, por edhe ky perifrazim duket i interpretueshëm nga ana e juristëve.

Avokat Ermal Hamataj në një qëndrim për Faktoje.al shprehet se: “Druhem se kërkesa është me bazë ligjore të gabuar dhe kjo bazë ligjore për kundërshtim, nuk sjell si pasojë pezullimin e vendimit. Ka paqartësi”.

Betejë juridike

Çështja më e madhe politike brenda mazhorancës në dekadën e fundit po shkon në rrugën e ftohtë ligjore, ndërsa kanë munguar qëndrimet politike, veçanërisht të Veliajt i cili nga personi aktiv që reagonte thuajse çdo ditë edhe kur ishte në qeli, ka zgjedhur të heshtë, fjalën e të cilit po e përçojnë në Gjykatën Kushtetuese.