Shifrat nga Mbretëria e Bashkuar që tregojnë se 95% e vdekjeve me Prillit 2021 dhe Majit 2023 janë persona të vaksinuar nuk tregon se këto vdekje kanë ndonjë lidhje me vaksinimin. Verifikimi i Faktoje shpjegon se përqindja e të vdekurve të vaksinuar përkon me përqindjen e popullsisë së vaksinuar në të gjithë vendin.

———————————————————

Një artikull i portalit Patriotik Media jep lajmin sensacionalist: “Zbulimi i pabesueshëm i studimit anglez – ‘Më shumë doza, më shumë vdekje’…”

Në brendi, artikulli nuk duket se i referohet ndonjë studimi të mirëfilltë të botuar në revista shkencore.

Duket se ‘studimi’ në fjalë konsiston në vetë artikullin, i cili përpiqet të shpërndajë retorikë anti-vaksinë duke përdorur shifrat nga një raport i Zyrës Kombëtare për Statistikat (ONS) në Mbretërinë e Bashkuar.

Raporti përmban numrin e vdekjeve që kanë ndodhur në vend mes 1 prill 2021 dhe 31 maj 2023.

Këto numra janë “grumbulluar, krahasuar dhe kryqëzuar, duke dalluar statusin e vaksinimit” nga autori i artikullit, për të dalë në përfundimin se ka patur “2.1 milionë vdekje në këtë periudhë kohore, 95% e këtyre (1,972,790) përshin njerëz që ishin vaksinuar.”

Artikulli i Patriotik Media

Për të verifikuar këto shifra, Faktoje analizoi të dhënat e raportit.

E para gjë që vumë re, ishte një gafë e ‘studimit’ të Patriotik Media. 

Raporti përmban numrin total të vekjeve, si dhe numrin e vdekjeve të lidhura me Covid-19, dhe numrin e vdekjeve të tjera.

Për të ardhur në shifrën e pabesueshme të 2 milionë të vdekur në 3 vite, autori duket se ka mbledhur të gjithë këto numra me njëri tjetrin, duke dyfishuar kështu numrin e vdekjeve.

Në të vërtetë, sipas ONS, Mbretëria e Bashkuar ka patur 586334 vdekje në 2021, 577160 vdekje në 2022, dhe 259514 vdekje gjatë periudhës Janar-Maj 2023.

Kështu, në periudhën Prill 2021-Maj 2023, në Mbretërinë e Bashkuar nuk ka patur 2.1 milionë vdekje, por më pak se 1,423 milionë.

Megjithëse kjo gafë na e lëkundi besimin tek ‘studimi’ i Patriotik Media, vumë re se shifrat e raportit të ONS se tregojnë vërtet se 95% e vdekjeve ishin të personave të vaksinuar.

A tregon kjo se ka një lidhje mes vdekshmërisë dhe vaksinimit anti-Covid? 

Nëse 90% e vdekjeve në botë janë persona që shkruajnë me dorën e djathtë, a tregon kjo një lidhje mes vdekshmërisë dhe të shkruarit me dorën e djathtë? Jo, për aq kohë sa 90% e të gjithë njerëzve shkruajnë me dorën e djathtë. 

Njësoj, përqindja e madhe e të vdekurve të vaksinuar përkon, normalisht, me përqindjen e lartë të të vaksinuarve në popullsi. Sipas ONS, mbi 90% e popullsisë së Mbretërisë së Bashkuar është vaksinuar.

Fakti që 95% e të vdekurve në një popullsi 95% të vaksinuar, janë të vaksinuar zor se mund të quhet “zbulim”, aq më pak “i pabesueshëm”.