Vdekja e 16-vjeçares alergjike e keqintepretuar si pasojë e vaksinimit

747
Fotografia e marrë nga oraiokastro24.gr

Në rrjet po qarkullon një lajm që pretendon se vdekja e një 16 vjeçareje në Kalkidhi të Greqisë ka ardhur si pasojë e vaksinimit kundër Covid-19. Verifikimet tregojnë se në të vërtetë, vajza ka ndërruar jetë si pasojë e një shoku alergjik.

Vaksinimi kundër Covid-19 ka ndarë në dy pjesë njerëzit në mbarë botën. Në një anë janë ata që besojnë në procesin e vaksinimit kundër Covid-19, ndërsa në anën tjetër janë personat, të cilët jo vetëm nuk besojnë tek vaksinimi por mendojnë se vaksinat MRNA sjellin pasoja shëndetësore.

Por ndërsa çdokush ka të drejtë të krijojë bindjet e tij bazuar në informacione mbi këtë çështje, ajo që po ndodh rëndom, që prej hedhjes në treg të vaksinave, është shpërndarja e lajmeve keqinformuese për të nxitur besimin e njërës apo tjetrës tezë.

I tillë është rasti i shpërndarjes së një lajmi për vdekjen e një 16 vjeçareje në Greqi. Përdorues të rrjeteve sociale, të njohur si konspiracionistë kundër vaksinimit ndaj Covid-19 e kanë lidhur vdekjen e 16 vjeçares greke me vaksinën.

“Nuk kishim dëgjuar ndonjëherë vdekje të tilla të papritura tek të rinjtë…!”, shkruan profili në Facebook Idealisti-al teksa ndan lajmin e vdekjes së 16 vjeçares në Greqi.

Lajmi ka marrë dhjetra reagime dhe mes tyre ka të tjerë përdorues që nxisin të njëjtin pretendim.

E vërteta është se arsyet e vdekjes së 16 vjeçares nuk kanë lidhje me vaksinën kundër Covid -19.

Më 13 korrik mediat greke raportuan për vdekjen e papritur të një 16 vjeçareje në Kalkidiki. Sipas raportimeve të para, vajza ishte me pushime dhe ndërroi jetë pasi konsumoi ushqim të shpejtë (Hot-Dog). Pak minuta më vonë, 16 vjeçarja pësoi shok alergjik.

“Vajza ime hëngri një hot-dog, por ajo është alergjike ndaj qumështit dhe është gjithmonë e kujdesshme kur ha jashtë. Nuk e di se çfarë ka ndodhur saktësisht dhe nëse ka pasur ndonjë bulmet në atë që ka konsumuar”, ka thënë nëna e 16-vjeçares, duke theksuar se vajza është rrëzuar sapo ka ngrënë.

“Nga provat e para rezulton se vajza ime ka pësuar një goditje alergjike dhe ka ndërruar jetë”, është shprehur nëna e saj për mediat greke.

Po ashtu, sipas mediave greke, 16-vjeçarja merrte mjekim vitet e fundit pasi vuante nga krizat epileptike. Ndërkaq, autoritetet greke kanë kryer edhe autopsi për rastin në fjalë, rezultatet e të cilës ende nuk kanë dalë.

Nisur nga ky informacion i gjetur në rrjet, rezulton se lajmi i shpërndarë me pretendimin se vdekja e 16 vjeçares greke është pasojë e vaksinimit, është i pavërtetë.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dezinformimin