.

.

BallinaAktualitetVazhdojnë të ‘rrjedhin’ tezat e provimeve të maturës

Vazhdojnë të ‘rrjedhin’ tezat e provimeve të maturës

Masat e sigurisë nuk e ndaluan dekonspirimin e tezave për provimin e maturës.  Pas ‘rrjedhjes‘ së testit të Anglishtes, këtë të mërkurë qarkulloi edhe teza e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, ende pa nisur provimi. Aktivistët janë të shqetësuar për këtë fenomen i cili po bëhet gjithnjë e më i sofistikuar, madje sipas Qëndresës Qytetare ka pasur raste ku janë deaktivizuar kamerat me qëllim favorizimin e maturatëve.

Një ditë para provimit të parë të maturës shtetërore për vitin 2023, më 31 maj, ministrja e Arsimit Evis Kushi, i uroi suksese maturantëve dhe u kujdes të garantonte:

“Kemi marrë masat me ekipet tona për mbarëvajtjen e procesit”.

Njoftimi i MAS, 31 maj 2023

Në 1 qershor, maturantët iu nënshtruan provimit të parë, atij të anglishtes. Mirëpo, 30 minuta pas fillimit të provimit, në rrjetet sociale u publikuan tezat e testit të anglishtes, duke shkelur rregulloren e MAS për provimet e maturës shtetërore 2023.

Më 6 qershor, ministrja e Arsimit, Evis Kushi reagoi në lidhje me publikimin e tezës së anglishtes, por theksoi se ky është një detaj që nuk e cënon procesin.

“Është e parapërgatitur, bëhet për të vënë në dyshim procesin. Me sa duket ka njerëz që angazhohen për një gjë të tillë, është e njëjta dorë që i publikon. Pavarësisht se testi doli, nuk ka hyrë i zgjidhur tek maturantët, sepse provimi kishte filluar. Maturantët të jenë më të ndërgjegjshëm, ka shumë tentativa për të marrë celularët”, u shpreh ajo.

Në datën 7 qershor, maturantët iu nështruan provimit të dytë të detyruar, atij të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë. Edhe në provimin e kësaj të mërkure është publikuar teza online. Rigels Xhemollari nga “Qëndresa Qytetare” saktëson për Faktoje se teza është publikuar 15 minuta pas nisjes së provimit.

“Evis Kushi dhe administrata e saj duhet të mbajë përgjegjësi për 30 mijë maturantët dhe sakrificën e familjeve të tyre. Nxjerrja e tezës kompromenton administratorët e provimeve. Prokuroria të nisë hetime!”, denoncon Qëndresa Qytetare.

Më tej, Xhemollari shprehet se kanë pasur njoftime se në disa salla provimesh janë çaktivizuar kamerat, për të favorizuar maturantët.

“Nga informacionet tona jemi sinjalizuar se në disa salla provimesh janë hequr nga priza bllokuesit e valëve dhe janë çaktivizuar kamerat për të favorizuar maturantët. Kjo situatë sigurisht që dëmton meritën, e cila është shtylla kryesore mbi të cilën ndërtohet matura shtetërore. Nuk ka nevojë për deklaratë nga znj Kushi, por për akte konkrete, padi, hetim dhe ndëshkim, përndryshe në provimet e radhës do të kemi më shumë abuzime me kopjet”, argumenton drejtuesi i organizatës “Qëndresa Qytetare”.

Teza e provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë është publikuar e plotë edhe në faqe të ndryshme në rrjetet sociale.

Teza e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, publikuar në rrjetet sociale

Pas daljes së tezës së Gjuhës Shqipe dhe Leterësisë, ka reaguar edhe ministrja Kushi, e cila theksoi:  

“Garantojmë që nuk ka asnjë element që të dyshojmë që teza të zgjidhura jashtë kanë hyrë brenda dhe kanë favorizuar një apo dy maturantë, për këtë ne japim garanci.

Nuk na vjen mirë që del testi. Dyshimi ynë është që ka njerëz që janë të investuar posaçërisht për këtë qëllim, sepse janë gjithnjë të njëjtët që nxjerrin testin dhe nuk bashkëpunojmë me ne për të identifikuar personat që kanë shkelur rregulloren”, deklaroi Kushi.

Faktoje pyeti maturantë në gjimnazin “Petro Nini Luarasi” në Tiranë, mbi masat e sigurisë para provimit.

“Ne na skanonin para se të futeshim në provim. Nuk kishim mundësi që të merrnim celular, ishim gjithë kohës të monitoruar nga kamerat, nuk kopjuam dot”, shprehen maturantë të këtij gjimnazi.

‘Rrjedhja’ e tezës, problem i përvitshëm

Provimet e maturës shtetërore janë shoqëruar çdo vit me “zhurmë”, pasi që në minutat e para të zhvillimit të tyre teza është bërë pubike. Ky është një fenomen që përsëritet vit pas viti dhe ende nuk ka hapa konkretë nga autoritetet për ta frenuar këtë problematikë.

Nga ana tjetër, ekspertët kanë argumentuar se tezat dalin më qëllim favorizimin e nxënësve që po kryejnë provimin.

“Teza nuk del kot, del për të favorizuar nxënësit brenda. Nxënësi brenda ose mësuesi, nuk e di se kush e fotografon dhe e nxjerr jashtë te të afërmit e vet. Jashtë gjenden sa të duash njerëz që zgjidhin teza të çdo lloj niveli”, shprehen ekspertët.

Provimi i matematikës është provimi i tretë për maturantë dhe do zhvillohet më datë 13 qershor, ndërsa lënda me zgjedhje është dhe provimi i fundit, i cili do zhvillohet më datë 19 qershor.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img