Nisja e viti të ri akademik dhe rikthimi i studentëve nëpër auditore, nisi me përplasje mes punonjësve të sigurimit të universiteteve dhe studentëve. Me datë 24 shtator u vendos vaksinimi i detyruar për studentët, ndërsa ata që nuk vaksiohen, duhet të bëjnë tampon çdo javë. Faktoje përllogariti që kosto për një student për tamponin varion nga 8,800-26,000 lekë në muaj. Kjo gjë, i hapi rrugën alternativave ilegale, si certifikatat fiktive të vaksinimit. Faktoje arriti të komunikonte me një student, që tregon mënyrën se si e ka përfituar certifikatën e vaksinimit pa e bërë atë. Fenomenin e certifikatave fiktive ekspertët e fushës e paralajmëruan edhe në fillimet e urdhërit për vaksinim të detyruar në një artikull të Faktojes me datë 31 Gusht.
Prej ditësh studentët kanë protestuar përballë Ministrisë së Arsimit kundër vaksinimit të detyruar. Por, ndërsa viti akademik nisi me datë 18 tetor, shumë student të pavaksinuar gjetën zgjidhje tek falsfikimin e certifikatave të vaksinimit.
Ana* është studente të vitit të tretë të Bachelor në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja dhe nuk dëshiron të vaksinohet. Zgjidhjen për të hyrë në fakultet e ka gjetur duke marrë certifikatë vaksinimit fallco. Ajo tregon për Faktojen se shtysa më e madhe që e shtyu drejt kësaj zgjidhje, ishte se donte të mbaronte bachelor-in e të mos humbiste vitin akademik.
“Nuk doja ta humbja vitin akademik, sidomos tani që jam në vit të fundit”. – shprehet Ana, ndërsa po pret të hyjë në fakultet.
Mënyrën për ta marrë certifikatën e vaksinimit Ana e tregon me detaje, por gjithmonë me kujdesin për të mos përmendur emrat se kush e ndihmoi.
“Tani secili nga ne po tenton të gjejë mënyrën e tij për të hyrë në fakultet, dikush nëpërmjet photoshop-it, falsfikimit, miqve, sepse asnjë nuk do të humbasë vitin, por nga ana tjetër nuk dëshirojnë as të bëjnë vaksinën.”- tregon Ana, ndërkohë që shtrëngon certifikatën e vaksinimit.
Studentja nga Burreli tregon që nëpër rrethe, çertifikata e vaksinimit merret më lehtë.
“Unë pasaportizimin e kam në Burrel dhe më duhet ta bëja atje dhe vaksinën, por nuk dua ta bëj, sepse mendoj që mund ta kaloj lehtë virusin se më favorizon mosha e re dhe imuniteti i fortë që kam.”
Ana tregon që si procedura i ka ndjekur të gjitha, përfshirë këtu dhe afatin kohor.
“Në dokumenta rezulton se kam marrë Astra Zenneca, kam shkuar një herë në qendrën shëndetësore jam rregjistruar sikur dua të bëj vaksinën. Fatmirësisht njihja ca persona e nuk e bëra, pastaj shkova për të marrë dozën e dytë sipas afatit kohor që ka vaksina dhe ja ku jam me certifikatën e vaksinimit në dorë.
Madje, studentja nga Burreli tregon që edhe shoqet e saj kanë bërë të njëjtën gjë.
“Nuk jam e vetmja që kam vepruar kështu, disa nga shoqet e mia kanë dhënë nga 100 Euro për të marrë certifikatën e vaksinimit e disa të tjera kanë pasur miq e si rrjedhojë e kishin më të lehtë ta merrnin.”
Fenomenin e ID fiktive ekspertët e fushës e paralajmëruan edhe në fillimet e urdhërit për vaksinim e detyruar në një artikull të Faktojes me datë 31 Gusht.
Kosto e bërjes së tamponit çdo javë
Sipas urdhërit të Ministrisë së Shëndetësisë duhet të plotësosh disa kushte që të hysh në fakultet, ndër to është bërja e një tamponi çdo javë nëse je i pavaksinuar.
Ermira, studente në vit të parë të masterit shkencor shprehet që nuk dëshiron të bëjë vaksinën.
“Nuk dëshiroj të bëj vaksinën, sepse jam në moshë të re dhe nuk kemi akoma asnjë studim se çfarë efektesh anësore ka në terma kohor afatgjatë. Gjithashtu mendoj se kjo tregon dhe një dështim të Ministrisë së Shëndetësisë se detyrimi nuk ka zgjidhur asgjë në shëndetin publik. E së fundmi, vaksina nuk më mbron mua të mos infektohem, më ndihmon thjesht të mos hospitalizohem, pra gjithsesi unë mbetem një vektor transmetimi, pra argumenti kryesor i MSH që vaksinohuni që të mos infektoni të tjerët bie që këtu poshtë.”
E pyetur se cila është zgjidhja që ka menduar për të hyrë në fakultet studentja e inxhinierisë shprehet:
“Arsimimi është e një e drejtë kushtetuese, asnjë nuk mund të më ndalojë ose të më cënojë të drejtat e mia. Patjetër që unë do të mbaj maskë, dezinfektues në ambientet e fakultetit se dhe unë mund të rrezikohem e më pas të rrezikoj familjarët dhe miqtë e mi. Do bëj tampon çdo javë sipas urdhërit, por ato kushtojnë goxha për xhepin e një studenti, sidomos tani që kanë filluar të rriten përsëri çmimet e tamponëve. Kjo është zgjidhja ime, në fund të fundit jemi në një vend demokratik jo në komunizëm.”
Për të verfikuar se sa janë kostot e bërjes së tamponit çdo muaj për një student Faktoje pyeti 12 labratorët që janë të çertifikuar nga MSH për çmimet e tamponëve.
Çmimi më i lartë në treg i një PCR rezulton 6,500 lekë, pra shumëzuar për 4 javë= 26,000 lekë në muaj.
Ndërsa çmimi më i ulët i PCR, është 2,200 lekë, shumëzuar për 4 javë= 8,800 lekë.
E ndërsa studentët janë në dilemë për bërjen apo jo të vaksinës, edhe rektorët e universiteteve janë ndarë mes tyre për pranimin apo jo, të studentëve të pavaksinuar.
Universiteti i Korçës dhe ai i Durrësit kanë pranuar në auditore edhe studentët që nuk janë vaksinuar. Zv/rektori i këtij universitetit Artur Adili ka thënë se nuk mund t’i penalizojnë studentët që nuk janë vaksinuar, por se do t’i shtyjnë ata drejt vaksinimit.
“Në lidhje me studentët e pavaksinuar janë dy qendra vaksinimi, pjesa më e madhe e kanë marrë dozën e parë, ata të pavaksinuarit do futen duke respektuar masat anti-Covid, pra të pajisur me maskë. Me kalimin e kohës duhet të vaksinohen të gjithë, normalisht nuk i vaksinojmë dot brenda ditës dhe nuk mund t’i penalizojmë për mësimin”– tha ai.
*Ana është pseudonimi i studentes, përshkak se studentja nuk dëshiron të identifikohet.