Një video që po qarkullon në rrjete sociale tregon konspiracionistin Pierre Gilbert duke paralajmëruar publikun mbi epidemitë e fabrikuara dhe se vaksinat do t’i shndërrojnë njerëzit në zombi. Verifikimi i Faktoje shpjegon pse pretendimet e kësaj video janë të pabaza.

——————————————

Në rrjetet konspiracioniste, përfshi edhe ato shqipfolëse, po shpërndahet një video e të ashtuquajturit “Doktor Pierre Gilbert” ku ai paralajmëron se vaksinat do të përdoren për të kontrolluar mendjet e popullatës me anë të “kristaleve të lëngshëm”.

Në video, Gilbert deklaron:

“Në shkatërrimin biologjik, janë stuhitë e organizuara të fushave magnetike. Çfarë do të pasojë do të jetë kontaminimi i gjakut të njerëzimit duke krijuar infeksione të qëllimshme. Kjo do të zbatohet me anë të ligjeve që do ta bëjnë vaksinimin të detyrueshëm. Dhe këto vaksina do të bëjnë të mundur kontrollimin e njerëzve. Vaksinat do të kenë kristale të lëngshme që do të futen në qelizat e trurit, të cilat do të shndërrohen në mikro receptorë të fushave elektromagnetike ku do të dërgohen valë të frekuencave shumë të ulëta. Dhe me anë të këtyre valëve të frekuencave të ulëta, njerëzit do të jenë të paaftë për të menduar, do të shndërroheni në zombi. Mos e mendoni këtë si një hipotezë… kjo është bërë. Rikujtoni Ruandën.”

Vlen të përmendet, fillimisht, se fjalimi nga është shkëputur klipi u mbajt nga Pierre Gilbert në 1996, jo 1995.

biografinë e tij, Pierre Gilbert e përshkruan veten si studiues i kiropraktikës, natyropatisë, dhe akupunkturës, metoda të cilat nuk janë të bazuara në shkencë. Ai e quan veten gjithashtu një eskatolog i kirshterë dhe “hulumtues UFOsh”. Ai nuk është mjek dhe nuk mban grada shkencore.

“Kristalet e lëngshme”, të cilave Gilbert i referohet si një mënyrë elektromagnetike për të kontrolluar mendimet e njerëzve, është një term që përdoret për të përshkruar substanca që janë në një gjendje të ndërmjetme mes gjendjes së ngurtë kristalore dhe gjendjes së lëngshme. Këto substanca përdoren kryesisht për ekranet e celularëve, kompjuterëve, dhe televizorëve flat screen.

Helene Galiegue, eksperte elektronike dhe telekomunikacioni në Shkollën Kombëtare të Aviacionit Civil në Francë, tha për AFP se “kristalet e lëngshme nuk janë receptorë fushash elektromagnetike. Ato janë struktura kristalore që ndryshojnë drejtimin në nënshtresë në varësi të temperaturës apo trysnisë, gjë që çon në ndryshimin e “ngjyrës” ose pasqyrimit.”

Michel Mitov, drejtor kërkimor në Qendrën Kombëtare franceze për Hulumtime Shkencore (CNRS), sqaroi se “një kristal i lëngshëm është një gjendje agregate, nuk është një substancë që dikush mund ta fusë në një material biologjik. Vetë materia organizohet në kristale të lëngshme. Si rrjedhim, kristalet e lëngshme në vetvete nuk janë substancë e dëmshme.” 

Ai shtoi se kristalet e lëngshme gjenden edhe në natyrë, dhe se “nuk ka jetë pa kristalet e lëngshme, falë tyre materia organizohet mes rregullit dhe çrregullit dhe bën të mundur një numër procesesh bazë jetësore.”

Mitov konfirmoi gjithashtu se “kristalet e lëngshme nuk janë receptorë fushash magnetike.”