Pretendimi: Nga 2026, djemtë shqiptarë do të bëjnë vaksinën e vajzave
Verdikti: Mungon konteksti
———————————————————-
Një postim i portalit JOQ, që ka marrë mbi 4 mijë pëlqime në Instagram, lajmëron se nga viti 2026, “djemtë shqiptarë do të bëjnë vaksinën e vajzave.”

Në përshkrimin e tij, sqarohet se postimi i referohet një vendimi të Institutit të Shëndetit Publik për të përfshirë vaksinën kundër HPV (papillomavirusi njerëzor), e cila që nga viti 2022 ishte e detyrueshme për vajzat që mbushnin 13 vjeç, në kalendarin e detyrueshëm të vaksinimit edhe tek djemtë e moshës 13 vjeç.
Ndryshe nga ç’pretendon titulli i JOQ, vaksina kundër HPV nuk është “vaksinë vajzash.” Virusi nga i cili ajo mbron mund të prekw kwdo, pavarësisht seksit, dhe të transmetohet nga ndokush, pavarësisht seksit.
Pothuajse 80% e njerëzve infektohen me HPV gjatë jetës së tyre, më shpesh gjatë marrëdhënieve të tyre të para seksuale. Nuk ka trajtim për infeksionet me HPV.
Papillomaviruset njerëzore (HPV) janë një familje virusesh të zakonshëm që transmetohen shumë lehtë, pothuajse ekskluzivisht përmes kontaktit seksual me ose pa penetrim. Si infeksioni më i zakonshëm seksualisht i transmetueshëm, virusi transmetohet përmes kontaktit lëkurë me lëkurë në organet gjenitale.
Më shpesh, infeksioni HPV është asimptomatik dhe zhduket spontanisht falë sistemit tonë imunitar. Në rreth 90% të rasteve, virusi HPV do të jetë zhdukur brenda 2 viteve.
Por te disa njerëz, një infeksion HPV mund të vazhdojë dhe të shkaktojë dëmtime qelizore, të cilat në disa raste mund të zhvillohen në kancer vite më vonë. Kjo është veçanërisht e vërtetë për kancerin e qafës së mitrës, shkaku kryesor i të cilit është një infeksion i vazhdueshëm me HPV.
Prandaj, vaksinimi rekomandohet për të parandaluar infeksionet HPV dhe për të kufizuar rrezikun e zhvillimit të kancereve të lidhura me virusin.
Ndër kanceret e lidhura me HPV përmendet kanceri i qafës së mitrës, kanceri oral, kanceri anal, kanceri i penisit, kanceri i vulvës dhe ai vaginal. Pothuajse të gjitha kanceret e qafës së mitrës (99.7%) shkaktohen nga infeksioni me një lloj HPV me rrezik të lartë.
Sipas Qendrës amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC), rreth 4 nga çdo 10 raste të kancerit të shkaktuar nga HPV ndodhin tek burrat. Çdo vit në Shtetet e Bashkuara, rreth 16,000 burra sëmuren nga kanceri i shkaktuar nga HPV.

Raste kanceri të lidhur me HPV të ndara në lloji i kancerit, raste në gra dhe raste në burra
Infeksionet me HPV mund të shkaktojnë edhe lytha gjenitale, si tek burrat ashtu edhe tek gratë.
Vaksina kundër human papilloma virus (HPV) njihet si një mbrojtje efektive kundër kancereve të ndryshme të lidhura me HPV, më i zakonshmi prej të cilëve është kanceri i qafës së mitrës.
Vaksinimi kundër HPV, i cili ka disa lloje, rekomandohet për vajzat dhe djemtë, në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe në Francë, sepse parandalon infeksionet që në disa raste mund të shndërrohen në kancer tek gratë dhe burrat. Shoqata Amerikane e Kanceri rekomandon që djemtë dhe vajzat të vaksinohen kundër HPV midis moshës 9 dhe 12 vjeç.
Vaksina është më efektive kur jepet midis moshës 12 dhe 13 vjeç, kur sistemi imunitar është i fortë dhe para se djali ose vajza të bëhen seksualisht aktivë.
Shkalla e kancerit të qafës së mitrës tek gratë tani në të 20-at, të cilat e kanë bërë vaksinën HPV në moshën 12 ose 13 vjeç, është ulur me 90%.
Vaksina i mbron djemtë nga llojet e HPV që mund të çojnë në kancer të kokës dhe qafës, kancer anal dhe kancer të penisit.
Djemtë që marrin vaksinën do të ndihmojnë gjithashtu në uljen edhe më të madhe të numrit të kancerit të qafës së mitrës tek gratë, pasi burrat që kryejnë marrëdhënie seksuale me gra nuk do t’i transmetojnë disa lloje të virusit.
Vaksinimi i të gjithë të rinjve kundër HPV rrit gjithashtu diçka që quhet “mbrojtje e tufës”. Kjo ndodh kur shumica e njerëzve në popullatë vaksinohen kundër diçkaje, që do të thotë se edhe njerëzit që nuk janë të vaksinuar marrin njëfarë mbrojtjeje.






