.

.

BallinaFake newsDezinformimi në kohë krizashVajzat që kanë zgjedhur të luftojnë për Ukrainën me influencën e tyre

Vajzat që kanë zgjedhur të luftojnë për Ukrainën me influencën e tyre

Çdo kontribut është jetik për Ukrainën në këto kohë mbijetese për shkak të luftës. Tri vajza të mrekullueshme nga ky vend, të cilat Faktoje i takoi pak kilometra larg zonës së luftës, në Krakov të Polonisë, tregojnë se si i kanë përqendruar energjitë e tyre që të mbajnë gjallë shpresën te populli ukrainas. Njihuni përmes këtij artikulli me Masha Timoshenko influencer, Kate Kifa specialiste PR e Komunikimi dhe Daria Kravchenko përfaqësuese e një organizate joqeveritare.

Prej muajit shkurt të këtij viti, jeta për popullin e Ukraninës nuk është më e njëjtë. Bomba, sirena, qytete të shkatërruara dhe miliona njerëz që janë detyruar të lënë shtëpitë, është kjo pamja e trishtë që ofron vendi 8 muaj pas sulmeve ruse. Lufta ka vrarë mijëra njerëz, ka lënë të pastrehë shumë të tjerë, por kjo nuk e ka nënshtruar popullin e Ukrainës që të luftojë për liri.

Teksa ushtarët po përballen në frontin e parë të betejës me trupat ruse, qytetarë të tjerë të vendit po “luftojnë” në forma të tjera për të mbajtur gjallë shpresën dhe të ardhmen e Ukrainës. Faktoje intervistoi tri vajza të mrekullueshme nga Ukraina, të cilat rrëfyen si ka ndryshuar jeta e tyre që prej nisjes së luftës dhe dëshirën e madhe që kanë për të parë vendin e tyre sërish të lirë.

Masha Timoshenko, një influencer me origjinë nga Bjellorusia, por që 10 vitet e fundit të jetës së saj i ka kaluar në Ukrainë tregon për Faktoje vështirësitë me të cilat po përballet që prej fillimit të luftës.

“Situata e luftës nuk është e zakonshme, sepse unë jam bjelloruse dhe kam jetuar në Ukrainë në 10 vitet e fundit. Prej 5 muajsh nuk e kam parë burrin tim. Ai është nga Ukraina dhe djali im ka pasaportë ukrainase.

Ndihem shumë çuditshëm, sepse fakti është që unë nuk kthehem dot në Bjellorusi te prindërit e mi, nuk mund t’i shoh ata, sepse nuk është e sigurt për mua. Kam folur shumë për luftën dhe revolucionin.

Unë ndihem si ukrainase, them që jam ukrainase, por nuk jam me origjinë. Kjo ndjenjë është pak e çuditshme, sepse flas si ukrainase, sillem si ukrainase, kam shpirt ukrainas”, shprehet 26-vjeçarja.

Masha Timoshenko aktualisht po punon me një projekt për të ndihmuar popullin e Ukrainës. Bëhet fjalë për një program 21 ditor për shëndetin mendor dhe fizik, një mënyrë me të cilën ajo ka zgjedhur të kontribuojë për të ndihmuar bashkëqytetarët e saj të cilët po përjetojnë pasojat e luftës.

Programi ndahet në 3 javë. Java e para është e fokusuar të trupi, e dyta te emocionet dhe e treta te mendimet. “Ky program është online dhe mendoj se ky projekt do të vijojë për vite”, shton Masha

Masha tregon se që prej muajt mars të këtij viti është zhvendosur në Zvicër bashkë me të birin. Megjithatë zemra e saj është në Ukrainë dhe nëpërmjet rrjeteve sociale përpiqet të tregojë realitetin atje, duke mbështetur dhe inkurajuar popullin që po përballet me këtë agresion.

“Unë u largova nga Ukraina në fillim të marsit, u deshën 6 ditë që të shkonim në Zvicër. Ishte një udhëtim disaditor me makinë. Miqtë tanë në Zvicër janë arsyeja që u vendosa atje, sepse kishim apartamente të lira për të jetuar.

Të gjithë njerëzit në Zvicër janë falenderues, sepse ata e kuptojnë tani se ukrainasit po luftojnë. Burrat e ukrainës luftojnë që t’u kthehet jeta që kishin. Isha në Ukrainë 2 javë më parë, dhe pashë që gjërat po shkonin keq dhe u ktheva sërish në Zvicër”, rrëfen Masha.

Por, lufta ka lënë pezull çdo gjë ne jetën e saj. Pavarësisht dëshirës së madhe që ka për t’u kthyer në Ukrainë, Masha nuk mundet, pasi frikësohet për sigurinë e djalit të saj 5-vjeçar.

“Ne nuk mund të planfikojmë asgjë. Kishim menduar që të ishim bashkë, të kalonim dimrin atje, por burri im ndihet keq kur ne jemi atje. Ndihet i pasigurt. Kur është vetëm ka përgjegjësi vetëm për veten, për shëndetin e tij mendor. Dhe kur ne jemi atje, është një problem për të.

Ai ka një kompani të madhe atje dhe ka njerëz në Ukrainë që kanë biznese të mësha, ata janë linja e fundit për të luftuar.

Ai ndihmon në mënyra të tjera, duke dhuruar, duke sende të somosdoshme për ushtrinë. Jam mirënjohëse për djemtë që janë në ushtri tani dhe po luftojnë për ne, që të rikthehet jeta që kishim”, thotë Masha.

Këto muaj lufte dhe sfidash e kanë bërë më të fortë 26-vjeçaren, e cila pret me padurim që të rikthehet sa më parë në shtëpinë e saj në Kiev.

“Në Kiev është shtëpia ime, ndihem mirë, nuk ka rëndësi është lufta apo jo, ti ndihesh e lirë atje. Sepse në Zvicër kam jetën time në pauzë, po pres për diçka. Është ai efekti, që ti mbyll sytë për pak dhe më pas i hap dhe për pak minuta sheh pemë plot gjelbërim, një pamje të bukur, sepse Zvicra është shumë e bukur. Por më mungon diçka, duket sikur dikush të ka vjedhur jetën, sepse ti nuk mund të jetosh jetën tënde. Duhet të jesh diku, por jo në jetën tënde”, shprehet influencerja.

Një “luftëtare” që vazhdon të jetojë në Ukrainë pavarësisht luftës është Kate Kifa. Vajza, e cila punon si eksperte PR dhe Komunikimi tregon për Faktoje si është jeta e saj tani në Ukrainë.

“Në fillim ishte shumë e vështirë, por tani po përshtatem. Fillimisht ndihesh e frikësuar gjithë kohës, e humbur, sepse nuk e di çfarë të bësh, je e pasigurt. Kjo të pengon të bësh punën tënde, sepse unë dua të përqendrohem në disa gjëra, por vazhdimisht dridhem, sepse nuk e di nëse një raketë do të vijë në shtëpinë ku jetoj apo në shtëpitë e miqve të mi.

Një gjë tjetër është se shpenzoj shumë kohë duke kërkuar se çfarë ndodh në vendin tim, në qytetet ku jetojnë njerëzit dhe miqtë e mi. Më parë nuk shpenzoja kaq shumë kohë duke parë lajmet, sepse nuk kisha nevojë. Tani konsumoj lajme dhe bëhet fjalë për lajme negative. Nuk është një gjë e mirë për shëndetin mendor”, tregon Kate.

Lufta ka ndryshuar tërësisht jetën e tyre, pasi për ta nuk ka më qetësi dhe as argëtim. Para luftës, Kate punonte dhe jetonte e lirë, por sot gjithçka është përmbysur.

“Një gjë tjetër është se nuk ke shumë mundësi të argëtohesh. Në Odesa ne kemi Detin e Zi dhe ti mund të shkosh dhe të notosh apo të marrësh rreze dielli, por këtë vit, për shkak të bombardimeve ruse, e gjithë zona e bregdetit ishte e mbyllur dhe ushtarët tanë na kërkuan që të mos shkojmë në det. Oficerët e policisë patrullojnë në mënyrë të vazhdueshme në atë zonë duke iu kërkuar njerëzve që të largohen nga deti, për shkak të pasigurisë. Sezoni veror ishte shumë ndryshe këtë vit për mua, edhe pse ishte shumë vapë, ti nuk mund të shkoje aty ku doje.

Shumë biznese nuk po punojnë, kafenetë, bizneset, muzetë. Shumë muze në Ukrainë janë godtiur nga bombat, sidomos në rajonet e pushtuara, duke shkatërruar kulturën ukrainase. Nuk ka klube nate, nuk ka qejf kur ka luftë. Pas orës 11 të natës nuk mund të dalësh jashtë. Shumë miq dhe të afërm janë larguar nga vendi, atyre u është dashur që të shkojnë në vende më të sgurta sidomos kur kanë fëmijë. Unë nuk mund të shoh disa nga të afërmit, disa janë në Zvicër, disa në Ukrainë në pjesën perëndimore, të tjerë në vende të tjera”, thotë ajo.

Kate rrëfen se një nga miqtë e saj ka humbur në luftë dhe nuk dihet nëse është gjallë apo jo.

“Ai shkoi vullnetar në luftë për vendin e tij. Prej muajsh vëllai dhe gruaja po kërkojnë për të. Kjo më shkakton shumë ankth, disa nga miqtë e mi kanë humbur jetën për të shpëtuar vendin”, rrëfen vajza nga Odessa.

Kate tregon gjithashtu se si mbrohen në rast shpërthimi, duke rrëfyer edhe situatën e vështirë me të cilën ishte përballur, teksa ishte gjendur në mes të rrugës.

“Në shkurt qeveria dërgoi disa instruksione se çfarë të bëjmë kur ka bombardime. Ka sirena dhe kur dëgjojmë shpërthime, duhet të gjejmë një vend të sigurt. Dhe çfarë është një vend i sigurt? Zakonisht një strehë për t’u mbrojtur nga bombat. Por shumë streha kundër bombave nuk janë përgatitur për të jetuar aty. Nuk kanë sistem ajrimi, nuk kanë furnizim me ujë të pijshëm për tre ditë nëse ngec aty, nuk kanë ushqim.

Vendi më i sigurt është korridori në shtëpi, sepse duhet të jenë dy mure. Ne kemi sirena në ajër gjithë kohës dhe jetojmë në ankth.

Njëherë doja të shkoja te shërbimi postar dhe dola jashtë shtëpisë dhe papritur dëgjova një shpërthim të madh dhe kjo është shumë e rrezikshme kur je jashtë, sepse e gjithë zona dridhej. Është e frikshme dhe nuk di çfarë të bësh. Reagimi i parë është që të vraposh, të fshihesh sa më shpejt. Dhe në ato momente nuk e di çfarë të bësh, të vazhdosh rrugën apo të kthehesh”, rrëfen e reja nga Ukraina.

Daria Kravchenko është një tjetër vajzë që jeton në Ukrainë. Ajo punon në një organizatë jo qeveritare dhe gjithë kohës është në kontakt me informacionin. Daria informon në mënyrë të vazhdueshme miqtë e saj dhe jo vetëm, duke u treguar si të mos bien pre e propagandës ruse.

“Në momentin që nisi lufta ukrainasit ishin të shokuar, nuk dinin çfarë të lexonin dhe ku të lexonin, kë të besonin, sepse kishte informacione të ndryshme në media të ndryshme, në kanalet në telegram dhe kishte shumë lajme të rreme nga Rusia. Për fat të keq kishin bashkëpunëtorë në Ukrainë dhe kishin disa njerëz nga Rusia, të cilët kishin ardhur me qëllim që të bënin ndarje në mes të vendit.

Daria rrëfen sa i rëndësishëm është verifikimi i fakteve, në një kohë kur propaganda dhe dizinformimi rus është përhapur masivisht.

“Është propagandë ruse kur thonë që kanë shënjestruar vetëm infrastrukturën ushtarake. Kjo nuk është e vërtetë! Tani kanë targetuar stacionet që prodhojnë energjinë. Ata po sulmojnë, po na sulmojnë stacionet që prodhojnë energji, sepse tani është dimër, kemi disa probleme me gazin. Njerëzit tani do të kenë probleme jo vetëm me gazin, por edhe me energjinë elektrike.

Rusët e bëjnë këtë për ta vështirësuar jetën tonë në Ukrainë, jo vetëm nga ana psikologjike duke vrarë civilë, por edhe nga ana fizike, sepse do të kesh ftohtë në apartamentin tënd për shkak të luftës”, shprehet ajo.

Mirëpo, për fat të keq, në Ukrainë tashmë nuk ka asnjë vend të sigurt pasi bombat ruse po targetojnë çdo qytet.

“Unë kam jetuar në Lviv, tani jetoj në Kiev dhe është më shumë një steriotip që nëse jeton në Kiev apo në Lviv je më i sigurt. Por mund të them që është thjesht një steriotip, sepse nuk ka vend të sigurt tani në Ukrainë, sepse raketat ruse po targetojnë jo vetëm ushtrinë, por edhe infrastrukturën, shtëpitë e civilëve, vendet e populluara. Shpenzojmë disa kohë në ‘bomb shelter’, poshtë ndërtesave tona. Mund të kaloj 5 orë dhe ndonjëherë nuk ka as drita”, thotë për Faktoje vajza nga Ukraina, e cila shpreson që shumë shpejt e gjithë kjo situatë të marrë fund dhe populli t’i rikthehet jetës normale.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img