Video të një godine duke u shembur po shpërndahet në rrjet si pamjet e hedhjes në erë nga Izraeli të ndërtesës zyrtare të parlamentit të Gazës. Verifikimi i Faktoje zbuloi se pamjet satelitore tregojnë se video tregon një godinë tjetër rezidenciale në Gaza.

——————————

Një video që tregon shpërthimin e një godine po shpërndahet online, por edhe nëpër media, si pamje të hedhjes në erë të parlamentit të Gazës nga ushtria izraelite.

Në 15 nëntor, New York Times raportoi se kompleksi i godinave të Këshillit Legjislativ Palestinez në Gaza ishte shkatërruar pjesërisht disa ditë pasi forcat izraelite e morën nën kontroll.

Megjithatë, video e mësipërme nuk tregon shkatërrimin e parlamentit të Gazës.

Godina e parlamentit në Gaza ka disa tipare të veçanta arkitekturore, përfshi portën dhe kubenë, të cilat nuk shfaqen në videon që po qarkullon online. Ajo është gjithashtu në mes të një zone të dendur urbane, ndërsa godina në video duket se ndodhet në një zonë më rurale.

Porta hyrëse e kompleksit të Këshillit Legjislativ

Këshilli Legjislativ ndodhet në një zonë urbane dhe është i rrethuar me godina të tjera

AFP arriti ta lokalizojë vendndodhjen e godinës në video në fshatin Juhor ad-Dik, duke krahasuar pamjet në video me pamje nga sateliti.

Godina në video (majtas) dhe godina në Juhor ad-Dik e parë nga sateliti (djathtas). Elementet identifikuese janë shënuar nga AFP në foto.

Juhor ad-Dik ndodhet rreth 6 km larg godinës së parlamentit në Gaza.

Më 28 tetor, New York Times analizoi një video të xhiruar nga ushtria izraelite një ditë më parë që tregonte tanke duke udhëtuar drejt fshatit të Juhor ad Dik. “Godina, përfshi edhe çfarë duken të jenë shtëpi dhe komplekse apartamentesh, shihet që po bombardohen në një zonë rreth një milje [1.6 km] të gjatë një Juhor ad Dik,” raportonte gazeta amerikane.

Këshilli konsiderohej si dega legjislative e Autoritetit Palestinez për të gjithë territoret e pushtuara në bazë të marrëveshjeve të Oslos në 1993. Hamasi ishte duke e përdorur godinën në Gaza që kur mori nën qeverisje territorin në 2007.

Ligji ndërkombëtar ndalon shkatërrimin e godinave nëse nuk është e nevojshme, dhe OKB e ka kritikuar Izraelin për shkatërrimin e godinave qeveritare në Gaza edhe më parë.