Pretendimi: Kjo video tregon ushtrinë që ka dalë në rrugë në Paris së fundmi
Verdikti: Mungon konteksti
———————————————————-
Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi dhe ato shqipfolëse, pretendohet se tregon ushtrinë franceze në rrugët e Parisit së fundmi.

Postimi vjen në kontekstin e protestave masive të 10 shtatorit 2025, në Paris dhe gjetkë në Francë, që synonin të ushtronin presion mbi presidentin Emmanuel Macron në ditën e parë të punës së kryeministrit të tij të ri Sébastien Lecornu.
Megjithatë, video e mësipërme nuk tregon pamje nga shtatori 2025.
Me anë motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti videon origjinale, të botuar në Tik Tok më 14 korrik 2025 nga profili @parislens1.

Dita e Bastijës është festa kombëtare e Francës, e cila festohet çdo vit më 14 korrik për të përkujtuar Sulmin e Bastijës në vitin 1789, si pjesë e Revolucionit Francez.
Eshtë e zakonshme që në këtë ditë të shënuar të zhvillohen parada ushtarake dhe mjetet e rënda të ushtrisë të shfaqen në rrugët e Parisit që të çojnë në bulevardin kryesor të Champs-Élysées. Këtë vit, parada përfshiu gjithashtu ushtarë indonezianë, finlandezë që shërbejnë në forcën e OKB-së në Liban, si dhe trupat belge dhe luksemburgase që shërbejnë në një forcë të NATO-s në Rumani, duke reflektuar natyrën gjithnjë e më ndërkombëtare të ngjarjes.
