Ushtarët gjermanë nuk u tërhoqën nga Groenlanda prej presionit të Trump

10

Pretendimi: Gjermania tërhoqi papritur trupat e saj nga Groenlanda pasi dërgoi 13 ushtarë për të mbrojtur Groenlandën nga kërcënimet e presidentit amerikan Trump për të pushtuar ishullin.

Verdikti: Mungon konteksti

————————————————————

Më 18 janar 2025, në media dhe rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, qarkulloi lajmi se Gjermania kishte tërhequr papritur 13 ushtarë që kishte dërguar për të mbrojtur Groenlandën nga kërcënimet e presidentit amerikan Trump për të pushtuar ishullin.

Megjithatë, largimi i togës gjermane nuk ishte i fshehtë, i papritur apo i ndikuar nga frika e tarifave që kërcënoi Trump. Largimi i misionit ishte parashikuar dhe njoftuar që në kohën e dërgimit të tij në Groenlandë. 

Ministria e Mbrojtjes gjermane kishte njoftuar paraprakisht se 13 ushtarët do të kishin një mision zbulues, i planifikuar të zgjaste për tri ditë nga 15 deri më 17 janar. Ushtarët gjermanë shkuan atje me ftesë të Danimarkës.

Ekipi kishte për qëllim të vlerësonte kushtet për ushtrime të mundshme të NATO, ndërsa zëdhënësi i qendrës së kontrollit të komandës tha më 18 janar se misioni kishte përfunduar. “Rezultatet e zbulimit do të analizohen në ditët në vijim,” tha ai.

Ndërkaq, Trump kërcënoi se Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Hollanda dhe Finlanda do të përballen me tarifa 10% mbi të gjitha mallrat duke nisur nga shkurti dhe se ajo do të rritet në 25% më 1 qershor nëse nuk arrihet një marrëveshje për “blerjen e plotë dhe totale të Groenlandës” nga Shtetet e Bashkuara.

Ky kërcënim erdhi më 17 janar, ndërsa kohëzgjatja e misionit zbulues gjerman ishte lajmëruar tri ditë më parë, më 14 janar.

Deklarata e Ministrisë gjermane së Mbrojtjes shtoi se qëllimi i misionit, i cili përfshinte disa vende të tjera evropiane, ishte të shqyrtonte kushtet për një stërvitje të përbashkët ushtarake në territorin sfidues të ishullit si dhe vlerësuar kontribute të mundshme ushtarake për të mbështetur Danimarkën në shtimin e sigurisë në rajon.

Ushtarët gjermanë gjithashtu u larguan nga Groenlanda më 18 janar, sipas një zëdhënësi të komandës operative të Forcave të Armatosura të Gjermanisë, një ditë më vonë se sa ishte njoftuar fillimisht.

Vizita e planifikuar tri-ditore u zhvendos një ditë më vonë në mënyrë që ushtria e Gjermanisë të mund të përfitonte nga oferta e Danimarkës për të fluturuar së bashku në Groenlandë më 16 janar, tha Ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë, në një deklaratë online.