Pretendimi: Kjo foto tregon ushtarë amerikanë duke iu ulur në gjunjë presidentit rus Vladimir Putin gjatë pritjes së tij në Alaska
Verdikti: Mungon konteksti
——————————————-
Një imazh nga samiti mes presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut të tij rus Vladimir Putin po shpërndahet nga media me tituj që pretendojnë se ai tregon “ushtarët amerikanë [që] iu ulën në gjunjë Putin gjatë pritjes.”
Megjithatë, siç vërrehet në foto, dhe siç shpjegohet edhe në brendinë e artikullit të mësipërm, ushtarët amerikanë janë ulur në gjunjë për të shtruar tapetin e kuq pranë shkallëve të avionit të Putin, dhe nuk po i gjunjëzohen presidentit rus, i cili nuk është i pranishëm në foto.
Një video e plotë e ngjarjes i tregon ushtarët duke shtruar tapetin e kuq duke e rrotulluar, përpara se të gjunjëzohen për ta fiksuar përfundimisht. Presidenti Putin shfaqet disa minuta më pas dhe zbret shkallët e avionit për të shtrënguar duart me presidentin Trump.
Ceremonitë e vijës së fluturimit janë pjesë e çdo vizite shtetërore në ShBA, përveç nëse është një vizitë private. Një kryetar shteti ose qeverie që viziton zakonisht do të mbërrijë me anë të një avioni. Kur avioni i vizitorit të ketë përfunduar lëvizjen, një ekip tokësor zhvendos shkallët ajrore në pozicionin e tyre te dera e avionit dhe shtron një qilim të kuq. Në takimin e fundit Trump-Putin, përdorimi i ushtarëve për shtrimin e qilimit të kuq ishte i justifikuar nga fakti që bisedimet u zhvilluan në brendësi të Bazës së Përbashkët të Forcave Ajrore dhe Ushtrisë së SHBA-së “Elmendorf-Richardson”, e vendosur në juglindje të Alaskës, pak në veri të qytetit Anchorage.
Ekipi i Donald Trump është kritikuar për urdhërimin e ushtarëve amerikanë që të shtronin tapetin e kuq për presidentin rus Vladimir Putin.