Pretendimi: Kjo video tregon ushtarë amerikanë duke i kthyer shpinën ish-presidentit amerikan Biden gjatë ceremonisë së inagurimit të tij në janar 2021

Verdikti: Mungon konteksti

—————————————————————–

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po riqarkullon një video nga janari 2021 që pretendohet se tregon trupa të ushtrisë amerikane duke i kthyer shpinën presidentit të atëhershëm Joe Biden gjatë inagurimit të tij në detyrë.

Video origjinale është postuar nga gazetarja Ines de La Cuetara, në Twitter mëngjesin e 20 janarit 2021, pak para se të fillonte ceremonia. “Pamja nga autokolona e Bidenit ndërsa ngjitej drejt Kapitolit”, shkroi Cuetara.

Në video, mund të shihet se disa anëtarë të Gardës Kombëtare amerikane qëndrojnë me fytyrë nga makinat që kalojnë në rrugë pranë Memorialit Robert A. TaftConstitution Avenue, ndërsa të tjerë kanë kthyer shpinën.

Më shumë se 25 mijë anëtarë të Gardës Kombëtare nga i gjithë vendi u sollën për të rritur sigurinë për inaugurimin pasi mbështetësit e Trump sulmuan Kapitolin më 6 janar pas një proteste kundër rezultateve të zgjedhjeve. Detyrat e tyre përfshinin mbrojtjen e perimetrit nga çdo kërcënim që mund të vinte.

Byroja e Gardës Kombëtare tha për Associated Press se anëtarët e gardës kishin kthyer kurrizin sepse këtë e kërkonte protokolli i sigurisë. Ashtu si anëtarët e Gardës Kombëtare, zyrtarët e Shërbimit Sekret shpesh kthejnë shpinën për të monitoruar të gjitha kërcënimet e mundshme.

“Këta anëtarë të Gardës Kombëtare ishin në detyrë me një mision për të mbrojtur presidentin nga kërcënimet e mundshme. Disa kanë kthyer shpinën për të siguruar sigurinë e të gjithëve”, tha Darla Torres, një zëdhënëse e Byrosë së Gardës Kombëtare.

Nahaku McFadden, një tjetër zëdhënëse, tha për AFP se ushtarët në video nuk ishin të pranishëm në për të nderuar Bidenin. “Ky ishte një perimetër, jo një paradë,” tha ajo. 

Pra, kjo video nuk tregon ndonjë sjellje të pahijshme apo mosrespekt. Pjesëtarët e Gardës Kombëtare në këtë video thjesht po kryenin detyrat e tyre për të siguruar të pranishmit në inaugurimin e Biden.

Pretendimi se kjo video tregon anëtarë të ushtrisë duke i kthyer shpinën presidentit bazohet vetëm në interpretimet e përdoruesve të mediave sociale. Asnjë anëtar i Gardës Kombëtare nuk ka deklaruar se i ka kthyer shpinën autokolonës, asnjë media e besueshme nuk ka paraqitur raporte të tilla, dhe as Garda Kombëtare nuk ka lëshuar ndonjë deklaratë që qortonte anëtarët e ushtrisë për mungesën e respektit për komandantin e përgjithshëm.

Pas betimit të Bidenit, trupat marshuan në një paradë për presidentin e 46-të ndërsa ai qëndronte në shkallët e Kapitolit. Më shumë trupa përshëndetën Biden kur ai dhe gruaja e tij Jill mbërritën jashtë Shtëpisë së Bardhë më vonë atë ditë, siç tregojnë transmetimet nga atëherë.