Tre ditë para se të përballej me hetuesit e SPAK për çështjen e inceneratorëve, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, la të kuptohej se vajtja e tij në Prokurorinë së Posaçme do të ishte vullnetare. Verifikimet e Faktoje tregojnë se në fakt, Veliaj ishte i detyruar të paraqitej në SPAK mëngjesin e 30 prillit.
Esmeralda Topi
Përballjen e tij të parë me hetuesit e SPAK lidhur me çështjen e inceneratorit të Tiranës, kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, e lajmëroi gjatë një interviste televizive. Por vajtjen e tij në Prokurorinë e Posaçme, Veliaj u kujdes ta cilësonte si vullnetare dhe jo të detyrueshme.
“…sa të pres që SPAK-u dhe institucionet e tjera, le të themi, me procedurat dhe vonesat e postës, ta bëjnë gjithë këtë komunikim, më mirë shkoj vetë, bëj një kronologji të gjithë këtyre situatave dhe mendoj se qasja proaktive na ndihmon të dyja palëve.” – deklaroi ai ndër të tjera, tre ditë përpara se të kalonte pragun e SPAK-ut.
Verifikim
E vërteta është se teksa përpiqej t’i mëshonte vullnetit të mirë personal për tu paraqitur në SPAK, Veliaj kishtë marrë një udhër nga Prokuroria e Posaçme. Vajtja e tij në këtë institucion ishte e detyrueshme dhe jo vullnetare.
Faktoje ka arritur të sigurojë dokumentin e fletë thirrjes që i ka mbërritur kryebashkiakut Veliaj në zyrën e tij, të mërkurën e 24 prillit.
Në dokument, shkruhet e zeza mbi të bardhë, se Erion Veliaj duhet të paraqitej në Prokurorinë e Posaçmë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në datën 30 prill në orën 10:00, si person në dijeni mbi rrethanat e çështjes së inceneratorit të Tiranës.
“Në rast mosparaqitjeje, ditën dhe orën e caktuar, pa pasur pengesa të ligjshme, paralajmërohemi se në bazë të nenit 312/2 të Kodit të Procedurës Penale, do të urdhërohet shoqërimi juaj i detyrueshëm nga Policia Gjyqësore.”- paralajmëron SPAK.
Në këto kushte, kryebashkiaku i Tiranës u paraqit të martën e 30 prillit në SPAK për të dëshmuar lidhur me çështjen e inceneratorit të Tiranës.
Dëshmia e tij brenda mureve të SPAK zgjati rreth 8 orë. Kur doli nga dyert e Prokurorisë së Posaçme, kryebashkiaku i Tiranës vijoi të këmbëngulte para gazetarëve se kishte shkuar si ‘bashkëpunëtor’, pasi kishte kohë që e kishte kërkuar vetë një takim.
Por kreu i SPAK, Altin Dumani dha një version tjetër të paraqitjes së Veliajt në Prokurorinë e Posaçme.
“I është dërguar fletë-thirrje të mërkurën e javës së kaluar për t’u pyetur në cilësinë e deklaruesit si person që ka dijeni mbi rrethanat e çështjes së inceneratorit të Tiranës,” i tha Dumani kolegëve të BIRN.
Përfundim
Nisur nga verfikimet e kryera dhe informacionet e mbledhura, deklaratën e kryetarit të Bashkisë Erjon Veliaj, do ta kategorizojmë të pavërtetë.