Pretendimi: Ura e Kukësit ka dalë me probleme dhe është drejt shembjes.

Verdikti: Mungon konteksti

——————————————————–

Në rrjetet sociale shqipfolëse po qarkullon lajmi alarmant se ura e çeliktë e ndërtuar në hyrje të Kukësit, mbi të cilën kalon Rruga e Kombit, është me probleme dhe po shkon drejt shembjes.

Ky pretendim duket se e ka zanafillën në një lajm të botuar më 24 prill në disa media shqiptare, sipas së cilit koncesionari i Rrugës së Kombit, kompania Salillari, ka paditur nënkontraktorin italian për ndërtimin e Urës së Madhe të Kukësit.

Artikujt e mësipërm i referohen një njoftimi të botuar nga Gjykata e Lartë më 9 prill 2025, ku lajmërohet vendimi i gjykatës për ta dërguar padinë e Salillarit për gjykim në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.

Në njoftimin e Gjykatës jepen disa detaje nga pretendimet e paditësit, përfshi “pagimin e të gjitha shpenzimeve, pagesave dhe kostove të pësuara nga Paditësi [Salillari] për ripërsëritjen e punimeve dhe riparimin e defekteve të MAEG.”

Pretendimet e padisë, për aq kohë sa nuk ka një vendim gjykate mbi to, mbeten pretendime. 

Më tej, edhe nëse pretendimet e padisë merren të mirëqena, mangësitë në punën e nënkontraktorit MAEG janë mbuluar nga kompania Salillari. Për këtë mbulim, kompania ka paditur nënkontraktorin duke i kërkuar dëmshpërblim.

Ç’është më e rëndësishme, askund në artikujt e mësipërm, apo në njoftimin e Gjykatës, nuk përmendet shembja e mundshme e urës.