Premtimet për ujin 24 orë në Tiranë janë ‘trashëguar me besnikëri’ nga njëri kryebashkiak te tjetri për të paktën 15 vitet e fundit. Edhe pse në vitin 2021, uji 24 orë ende nuk është një realitet për të gjithë banorët e Tiranës, pavarësisht 3-fishimit të çmimit. Pas rritjes se këtij të fundit, pasqyrat financiare në lidhje me investimet e UKT, mungojnë dhe nuk janë të publikuara, pavarësisht detyrimit ligjor. Një tjetër problematikë është ajo e cilësisë së ujit që vjen në rubinetat e qytetarëve. Pyetur nga Faktoje, Ujësjellës Kanalizime Tiranë pranon përgjegjësi vetëm për cilësinë e ujit që del nga depot e ujit, por jo për atë që mbërrin të qytetarët, ndërsa edhe ISHP nuk e përfshin monitorimin e analizës e ujit në fushën e saj të kompetencave.
Premtimet për 24 orë ujë
Në fushatën elektorale të vitit 2007 Edi Rama kandidati i PS për bashkinë e Tiranës u premtoi qytetarëve ujë 24 orë.
Gjashtë vite më vonë, në datën 20/06/2012, kryetari i atëhershëm i bashkisë së Tiranës Lulzim Basha gjatë një takimi me banorët e Kamzës, premtoi se brenda pranverës së vitit pasues, 100% e territorit të Bashkisë së Tiranës do të furnizohej 24 orë me ujë.
Në 1 nëntor 2017 kryebashiaku Erion Veliaj deklaroi: “Një histori suksesi ka qenë një kompani e falimentuar, që nuk furnizonte më shumë se 7 orë qytetin e Tiranës. Një kompani që jo vetëm po nxjerr fitim, jo vetëm e ka çuar në 14 orë furnizimin e qytetit, por tashmë po përgatitet për investimet për të sjellë 24 orë ujë në Tiranë”.
Katër vite më vonë (25/08/2021) Veliaj ka përsëriti të njëjtin premtim. Gjatë inspektimit të punimeve në impiantin e Bovillës, ai tha se ky investim do të jetë i fundit që po kryhet në Bovillë, që Tirana të ketë furnizim 100% me ujë.
Në datën 23 korrik 2021 Faktoje dërgoi një kërkesë për informacion bashkisë së Tiranës përmes të cilës kërkuam:
*Kërkesa dërguar bashkisë së Tiranës 23/07/2021
Të njëjtën kërkesë bashkia ia delegoi Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë si institucioni përgjegjës për dhënien e këtij informacioni. Në përgjigjen e saj UKT na informon se pas investimeve të kryera në Impiantin e Bovillës në më shumë se gjysmën e Tiranës, për pjesën më të madhe të zonave që furnizohen nga Bovilla është mundësuar furnizimi me ujë 24/7. Megjithatë, ky institucion nuk specifikon se cilat zona furnizohen me ujë 24 orë .
Përgjigjja e mbërritur nga UKT për Faktoje.al
Edhe në faqen zyrtare të UKT ku ky informacion duhet të ishte publik nuk ka asnjë të tillë.
*Webi i UKT
Sondazh
Faktoje hapi një sondazh në Instagram për të mësuar nga qytetarët nëse Tirana furnizohet ose jo me 24 orë ujë. Nga rezultatet vetëm 16% e tyre pohojnë se furnizohen 24 orë ndërsa 84% jo.
Kush është përgjegjës për kontrollonin e cilësisë së ujit për qytetarët e Tiranës?
Në datën 15 shtator 2019 kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka deklaruar se uji që vjen nga ujësjellësi për qytetarët e Tiranës, është plotësisht i përdorshëm.
Në listën e pyetjeve drejtuar bashkisë Tiranë dhe UKT ne kërkuam të informoheshim mbi cilësinë e ujit të pijshëm, që vjen në rubinetat e qytetarëve. UKT, i cili është i vetmi institucion që ka kthyer përgjigje, na informon se Ujësjellës Kanalizime Tiranë sh.a. ka përgjegjësinë, për monitorimin dhe garantimin e cilësisë së ujit të pijshëm nga dalja e depos dhe/ose impiantit të përpunimit të ujit të pijshëm deri në pikën e furnizimit/lidhjes me ujë të objektit (monitorimi i brendshëm). Pra ky institucion mban përgjegjësi vetëm për cilësinë e ujit që del nga depot e ujit, por jo për atë që mbërrin të qytetarët.
*Përgjigjja e UKT për Faktoje.al
Nga një vëzhgim në faqen zyrtare të këtij institucioni mësuam se UKT kryen analiza për parametrat e ujit jo vetëm për pjesën e burimeve të ujit, por edhe të rrjetit të qytetit. Nëpërmjet laboratorëve në mënyrë të përditshme realizohet marrja dhe analizimi i kampioneve në të gjithë qytetin e Tiranës në pika të përcaktuara nga Drejtoria e Higjenës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Ujësjellës Kanalizimeve sh.a dhe miratuar nga Inspektorati Sanitar Shtetëror dhe Ministria e Shëndetësisë.
*Informacioni gjendet në faqen zyrtare të ëebsite të UKT
Një një rast të tillë mund të mendojmë se UKT sh.a nuk ofron më këtë shërbim, ose nuk dëshiron ta ndajë këtë informacion.
Sipas sugjerimit të bërë në përgjigjen zyrtare të këtij institucioni iu drejtum Institutit të Shëndetit SHP si institucioni i cili mund të kishte një përgjigje për sa i përket analizave të ujit të pijshëm si një çështje e cila ka lidhje drejtëpërdrejtë me shëndetin publik. Faktoje dërgi një kërkesë për information këtij institucioni:
*Kërkesa drejtuar ISHP
Në përgjigjen e ISHP na thuhet se ky informacion nuk është në kompetencat e tyre.
*Përgjigjja zyrtare nga ISHP
Faktoje gjithashtu dërgoi një tjetër kërkesë për informacion Ministrisë së Shëndetësisë për të mësuar nëse ky institucion ka kryer analiza të ujit të pijshëm për të paktën gjashtë vitet e fundit, për të cilën jemi ende në pritje të një përgjigjje.
A solli rritja e çmimit shtim të investimeve?
Gjatë muajit nëntor 2017, Enti Rregullator i Ujit miratoi kërkesën e Këshillit Bashkiak të Tiranës për rritjen me 20 lekë/m3 të tarifës për abonentët familjarë, duke e çuar në 65 lekë/m3. Nënkryetari i Bashkisë, Arbjan Mazniku, shpjegoi në atë kohë se kjo rritje e çmimit do të përkthehej në investime, jo vetëm në gjithë rrjetin e ujësjellësit, i cili ishte tejet i amortizuar, por edhe në shtim të burimeve.
Sa janë rritur investimet në UKT nga viti 2018 deri në vitin 2021?
Nga vëzhgimi në faqen zyrtare të UKT mësuam se aktualisht, nuk ka asnjë projekt apo investim konkret për Tiranën.
*Faqja zyrtare e UKT
Pyetur në lidhje me investimet nga Faktoje, Ujësjellës Kanalizime Tiranë na drejtoi te Qendra Kombëtare e Biznesit për të parë pasyrat financiare.
*Përgjigjja e UKT
Pasi kërkuam në QKB për raportet financiare të kësaj shoqërie na rezulton se pikërisht prej viti 2018 kur ka hyrë në fuqi zbatimi i çmimi të ri të ujit, UKT nuk ka dorëzuar raporte financiare.
*Raporti i UKT në QKB, viti 2017. Viti i fundit kur janë dorëzuar pasqyrat financiare
Çfarë thotë ligji?
Dorëzimi i bilanceve dhe pasqyrave financiare është një detyrim ligjor, i cili reflektohet edhe në faqen zyrtare të Drejtorisë së Tatimeve, ku sipas të cilës, në zbatim të ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, Udhëzimit të Ministrit të Financave nr.5, datë 30.01.2006, “Për tatimin mbi të ardhurat”, çdo tatimpagues (pjesë në të cilën bën edhe UKT si një kompani sh.a) duhet të dorëzojë një listë të pasqyrave financiare dhe anekseve përkatëse.
*Njoftimi në faqen e Drejtorisë së Tatimeve
Ky informacion na tregon se jo vetëm UKT, nuk na ka mundësuar pasyqyrat finaciare të kërkuara, por prej më shumë se tre vitesh nuk i bën ato publike, pavarësisht detyrimit ligjor, duke çuar rrjedhimisht në shkelje të ligjit.
Pavarësisht premtimeve të njëpasnjëshme të bëra ndër vite, Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë sot me një popullsi me rreth 850 mijë banorësh, prej më shumë se15 vitesh vuan problematikën e orareve të kufizuara për furnizimit me ujë, si dhe nuk ka garanci dhe për cilësinë e tij, pavarësisht 3-fishimit të çmimit.