Pretendimi: Anija Apollo 11 nuk mund të ketë udhëtuar 800 mijë km me vetëm një serbator karburant.
Verdikti: Mungon konteksti
————————————————————
Konspiracionistët në rrjet po përpiqen të përgënjeshtrojnë udhëtimin hapësinor të misionit Apollo 11 duke vënë në dukje se ajo nuk kishte mjaftueshëm naftë apo oksigjen për të përshkuar distancën mes Tokës dhe Marsit.
Misioni amerikan hapësinor Apollo 11 dërgoi njerëzit e parë në Hënë, dhe jo në Mars, në 16 korrik 1969, më konkretisht tre astronautët Neil Armstrong, Edwin “Buzz” Aldrin, dhe Michael Collins.
Gabimi thelbësor në postimin e mësipërm është se ngatërron udhëtimin në hapësirë me udhëtimin në Tokë.
Në thelb, karburanti përdoret si lëndë djegëse për të prodhuar energji. Kur kjo energji është më e madhe se forcat e tjera që veprojnë mbi objektet në Tokë, si forca e fërkimit, objekti lëviz.
Në hapësirë, forca e fërkimit nuk ekziston. Në mungesë të ajrit, e si rrjedhim forcës së fërkimit me ajrin, nuk ka asnjë forcë që ta ndalojë lëvizjen e një objekti.
Lëvizja e objekteve në hapësirë ndikohet nga graviteti, dhe është pikërisht kjo forcë që u përdor nga misioni Apollo 11 për të kryer udhëtimin deri në Hënë dhe mbrapsht.
Hedhja e mjetit hapësinor ku udhëtonin astronautët u bë me anë të raketës 110 m Saturn V. në nisje, raketa peshonte 49 mijë kg, ndërsa në zbarkim 5 mijë kg. Kjo, sepse shumica e saj u hodh poshtë përgjatë udhëtimit, gjë që ishte thelbësore për realizimin e tij.
Pjesët ose fazat e raketës Saturn V
Faza e parë e Saturn V e hodhi Apollo 68 km mbi sipërfaqen e Tokës, duke i dhënë një shpejtësi rreth 9600 km/orë dhe më pas u shkëput. Faza e dytë e dërgoi anijen edhe më larg, 166 km mbi sipërfaqen e Tokës, dhe i dha më shumë shpejtësi.
Pasi faza e dytë u shkëput nga trupi i anijes, faza e tretë dha një shtytje të shpejtë që e hodhi Apollo 11 në orbitën e Tokës. Këtu, u kryen disa kontrolle finale dhe Saturn V dha një tjetër shtytje për ta vënë Apollo 11 në trajektoren për në Hënë, një lëvizje e quajtur “injeksion trans-hënor”.
Ndërsa Apollo 11 largohej nga Toka, faza e tretë e raketës Saturn V u shkëput pasi e kishte kryer detyrën e saj. Në vakuumin e hapësirës, nuk ka rezistencë që ta ndalojë lëvizjen e anijes, e si rrjedhim nuk ka nevojë për karburant për ta vënë anijen në lëvizje.
I gjithë ky proces mori 3 orë e gjysëm, dhe, më pas, anija e mbetur Apollo 11 udhëtoi nëpër hapësirë për 3 ditë deri sa arriti destinacionin e saj dhe u tërhoq në orbitën e Hënës nga graviteti i saj.
Për t’u kthyer, u përdor i njejti koncept. Motori i Modulës së Shërbimit dha shtytjen që nxorri anijen nga orbita hënore dhe e vendosi në rrugën e “injeksionit transtokësor.” Duke qenë se Hëna është më e vogël se Toka, shtytja e nevojitur është më e vogël se në nisjen nga Toka.
Ilustrim i trajektores së misionit Apollo 11 dhe fazat e ndryshme të anijes nga hedhja në kthim