JULIAN HOXHAJ
Në vitin 2020, qeveria premtoi investime në spitalet rajonale, që ato të ishin gati për pranimin e pacientëve me Covid-19. Edhe pse numri i te infektuareve ka pësuar një rritje të ndjeshme, raportimet nga terreni dëshmojnë se në spitalet rajonale janë dërguar vetëm mjete mbrojëse për personelin mjekësor, ndërkohë që të vetmet spitale Covid, janë 4 strukturat në Tiranë. Raporte të bazuara në monitorimin e këtij sektori për 2020-n, tregojnë se më shumë se gjysma e shpenzimeve mujore për një spital shkoi për pagat dhe shpërblimet e personelit.
Gati një vit pas shfaqjes së pandemisë, Shqipëria ka zyrtarisht të hapura katër spitale për të trajtuar të sëmurët me Covid-19. Spitali Infektiv në QSUT, ish-Kirurgjia në QSUT, Spitali “Shefqet Ndroqi” dhe struktura e ngritur në mjediset e ish-Universitetit Kristal, janë katër qendrat ku trajtohen pacientët me Covid.
Mirëpo prej muajsh, Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar publikisht se ka në gatishmëri edhe spitalet e rretheve për të pritur pacientët me Covid. Elbasani, Vlora, Durrësi, Korça dhe Shkodra, janë qytetet ku është parashikuar hapja e pavioneve Covid.
Spitali rajonal i Elbasanit
Deri më datë 6 shkurt, nuk ka patur njoftim zyrtar për hapjen e pavionëve të tillë, edhe pse numri i të infektuarve me Covid-19 ka arritur shifrat më të larta që nga shfaqja e pandemisë. Megjithatë jo zyrtarisht pranohet se në këto spitale marrin çdo ditë trajtim mjekësor pacientë me Covid.
Spitalet rajonale dhe bashkiake të tjera (jashtë listës së 5 spitaleve pjesë të skemës së 1 të Covid-19) pranojnë për Faktojen se nuk janë ndihmuar nga Ministria e Shëndetësisë, përveçse me mjete mbrojtëse për personelin mjekësor.
“Nuk ka investime në kuadër të pandemisë së Covid-19, jemi ndihmuar vetëm me disa maska”- thotë në një përgjigje zyrtare spitali i Tropojës.
Edhe drejtuesi i Spitalit Mat, Roland Meta tha se janë ndihmuar vetëm me materiale mbrojtëse. Për sa i përket investimeve të kryera së fundmi, Spitali i Lushnjes pranon investimet që po bëhen në laborator, i cili përfshihet në skemën e laboratorëve që do t’i jepen koncensionarit.
Burime konfidenciale i thanë Faktojes se spitalet rajonale ende nuk janë pajisur me të gjitha postet e oksigjenit, në rast të një skenari kur ato duhen vënë në funksion të plotë, me rritjen e numrit të të shtruarve.
Ndërkohë, sipas informacioneve të Ministrisë së Shëndetësisë, për vitin 2020 janë kryer një sërë investimesh në kuadër të pandemisë së Covid-19 për përballimin e situatës, në Tiranë e rrethe:
-Janë 600 shtretër në dispozicion në skenarin e parë dhe në tërësi 1600 shtretër për t’u përballur me situatat që mund të vijnë si pasojë e pandemisë Covid-19 (1.2 mld lek).
-36 autoambulanca të reja me standardet më të mira europiane për përballimin e pandemisë (240 mln lek).
-44 respiratorë të rinj, duke e çuar numrin e tyre në 507 respiratorë në dispozicion të strukturave Covid dhe jo Covid, nga 200 që ishin në fillim të pandemisë, pra ky kapacitet është rritur më shumë se 2.5 herë. Respiratorët e rinj janë të dedikuar për QSUT, për spitalin “Shefqet Ndroqi”, por edhe për spitalet rajonale (764.9 mln. lek).
-Dyfishim të numrit të respiratorëve, ventilatorëve, pajisjeve në reanimacione (160 mln lek).
-Spitali rajonal i Vlorës ka përfituar nga buxheti i shtetit një investim prej 55 mln lek për sistemin e respiratorëve në kuadër të pandemisë.
Një raport i organizatës Together For Life, publikuar para pak javësh, hedh dritë mbi një sërë gjetjesh për shpenzimet e kryera nga qeveria shqiptare në kuadër të pandemisë.
“MShMS ka shpenzuar 266.4 milionë Euro deri në shtator 2020 dhe shpenzimet për spitalet janë 93.4 milionë Euro, të cilat përbëjnë 26% të të gjitha fondeve në dispozicion të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Buxheti i mbetur deri në fund të vitit, është 200.28 milionë Euro. Pjesa më e madhe e shpenzimeve në një spital ka shkuar për pagat dhe shpërblimet e stafit, që arrin mesatarisht në 58% të totalit. Shpenzimet për ilaçe dhe pajisje mjekësore arrijnë në rreth 20% të shpenzimeve totale mujore të spitaleve”- thuhet ndër të tjera në raport.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale deklaron rritjen e kapaciteteve terapeutike intensive dhe nënintensive, duke dedikuar 500 shtretër, 80% e tyre me linja oksigjeni, gjysma e të cilave janë të reja (COVID 3 dhe 4). Nga 200 respiratorë të raportuar në sistemin spitalor para fillimit të pandemisë Covid-19, 173 aparate për frymëmarrje u shtuan përmes blerjeve nga MShMS me ndihmën e donatorëve, gjë që rriti kapacitetet në spitalet Covid dhe disa spitale rajonale. Përmes donacioneve dhe financimit në MShMS, dy spitalet Covid (3) dhe Covid (4) janë kompletuar me shtretër dhe pajisje mjekësore”- thekson i njëjti raport.
Ekspertët: Duhet rritje e kapaciteteve spitalore
Lidhur me investimet në shëndetësi për përballimin e situatës nga Covid-19, mjeku Ilir Alimehmeti shprehet se duhet të ishin marrë masa për forcimin e kapaciteteve spitalore. Ai tregon rastin e Venetos në Itali, e cila përdori spitalet rajonale për të përballuar pandeminë.
“Shembulli që spitalet rajonale janë kyçe është rajoni i Venetos në Itali, i cili përdori pikërisht spitalet rajonale për trajtimin e COVID-19 duke mbajtur të pastër përmes testimeve masive, spitalet qendrore universitare në mënyrë që të trajtonin sëmundjet e tjera. Të kundërtën bëri Lombardia fqinje, dhe rezultati u duk qartë nga të gjithë. Në Veneto ndodhën 60.8% më pak vdekje nga COVID-19 per 100.000 banorë se në Lombardi. Por, duhet të marrim parasysh që spitalet rajonale në Shqipëri kanë qenë historikisht të nën-investuara në krahasim me spitalet e kryeqytetit, pra nuk niseshim si Veneto.”- shprehet ai.
Mjeku Ilir Allkaj shprehet se Ministria e Shëndetësisë gjithashtu duhet të kishte fuqizuar kapacitetet shëndetësore edhe në drejtim të burimeve njerëzore.
“Ministria duhej të trajnonte mjekë dhe infermierë për kujdesin intensive, të disponoheshin sa më shumë shtretër të terapisë intensive, të bëheshin sa më shumë testime, gjurmime dhe trajtime”- shprehet mjeku Allkaj.
Ish-Ministri i Shëndetësise Tritan Shehu tha: “Ne kemi në spitale 2.5 shtretër për një mijë banorë, ndërkohë që mesatarja europiane është 4 deri në 5 shtretër për një mijë banorë. Për Covid, vetëm në Tiranë ka spitale për të sëmurët Covid. Këta thanë do hapim dhe në Vlorë dhe në Elbasan.
Spitali rajonal i Vlorës