Pretendimi: Kjo video tregon një avion duke lëshuar gabimisht lëndë kimike që lëshohen në qiell
Verdikti: Mungon konteksti
——————————————————
Video e një avioni në pistë që po nxjerr tym të bardhë nga bishti po shpërndahet në rrjet si pjesë e teorisë konspirative të kemtrajleve (chemtrails). Kjo teori konspirative pretendon se qeveria apo palë të tjera janë të angazhuar në një program sekret për të spërkatur kimikate toksike në atmosferë nëpërmjet avionëve në një mënyrë që formon vazhda në qiell, si ato që duken pas avionëve.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme është postuar fillimisht në Youtube në 2016.
Më tej, me anë të Google Lens, Faktoje gjeti edhe se logo e kuqe mbi avion është ajo e linjës japoneze Japan Airlines (JAL).
Video është ripostuar në Youtube dhe në 2020, shoqëruar me një përshkrim që shpjegon se tymi u shkaktua nga djegia e naftës në njësinë ndihmëse të energjisë (APU) të një avioni të Japan Airlines. Kjo mund të ndodhë pas një mirëmbajtjeje madhore të kryer në një aeroplan, kur nafta mbetet në APU dhe njësia ndizet për herë të parë pas pastrimit.
Përsa i përket vazhdave të kondesimit (contrails) që shfaqen pas avionëve në qiell, sipas Agjencisë amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit dhe NASA, ato përbëhen kryesisht nga uji, dhe “nuk janë të rrezikshme për shëndetin e njeriut.”
Vazhdat e kondesimit formohen kur avulli dhe grimcat e hirit të imët nga djegia e karburantit të avionit ngrijnë në kristale akulli. Në ajër me lagështi të ulët, kristalet thjesht shpërbëhen. Nëse ajri ka më shumë lagëshit, ato mbeten, dhe krijojnë vazhdat e avullit që duken me sy nëpër qiell. Ky ndryshim në nivelin e lagështisë së ajrit shpjegon pse disa avionë kanë vazhdë kondensimi dhe disa jo.
Siç shpjegon skuadra kërkimore e fizikantit David Keith në Universitetin e Harvardit, nuk ka prova për ekzistencën e vazhdave kimike (chemtrails). Nëse do të ekzistonte vërtet një program qeveritar i kësaj shkalle, ai do të përfshinte një program po aq masiv për prodhimin, ngarkimin dhe shpërndarjen e materialeve. Mijëra ose edhe dhjetëra mijëra njerëz do duhej të punonin për këto programe. Kjo do të thotë se do të ishte tmerrësisht shumë e vështirë që kjo të mbetej sekrete për shumë gjatë, pasi do të mjaftonte vetëm një njeri i përfshirë në program të dilte hapur i pajisur me prova si fotografi, dokumente, apo pajisje fizike për ta dekonspiruar.
Këto prova ende nuk kanë dalë.
Në fjalët e skuadrës së Keith:
“Nëse beson në kemtrajle, pyete veten si mund të jesh kaq i sigurt që ka vërtet një konspiraci të madhe. Merr në konsideratë shpjegime alternative, të thjeshta. Ki parasysh që interneti është plot me njerëz që janë krejt të sigurt për gjëra që thjesht nuk janë të vërteta. Ki parasysh që edhe pse qeveritë mund të mbajnë sekrete që përfshijnë vetëm pak njerëz, ato nuk arrijnë të mbajnë sekret programe të mëdha. Rusët, për shembull, dinin detaje specifike mbi projektin e bombës atomike që përpara se të ndodhte testimi i parë i armëve bërthamore, dhe në atë rast njerëzit e përfshirë në atë projekt kishin motivin e qartë patriotik të mbanin sekretin.
Nëse mendon se vazhdat e kondensimit të avionëve “duken ndryshe” ose “po sillen çuditshëm” konsidero që vazhdat e zakonshme të kondensimit nganjëherë mbeten për një kohë të gjatë dhe mënyra se si duken mund të ndryshojë papritur përgjatë të njejtës rrugë sepse avionët fluturojnë përmes vendeve me temperatura dhe lagështi të ndryshme. […] Sigurisht që ka mundësi që diçka tjetër po ndodh, por për ta provuar duhet më shumë se thjesht fotografi të diçkaje që duket njësoj me vazhdat normale të kondesimit”.