Esmeralda Topi
Në fillim të korrikut, kryeministri Edi Rama zgjodhi Cërrikun për të zhvilluar “Dialogun për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural”. Pak javë më vonë, kryebashkiaku i qytetit u emërua ministër për Bujqësisë dhe Zhvillimin Rural.
Nga takimi në Cërrik, kryeministri premtoi rishikimin e skemës së tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH-së) për fermerët, gjashtë vite pas ndryshimit të bërë nga vetë socialistët.
“Një tjetër element shumë i qartë për të kaluar tek një gjë më e madhe është që duhet të njësojmë TVSH”, tha Rama.
Një muaj pas kësaj deklarate, ministria e Financave i tha “Faktoje” se është në proces rishikimi të TVSH-së për fermerët, por jo përmes njësimit sikurse deklaroi kryeministri.
“Fokusi i këtij procesi është rishikimi i normës së kompensimit të fermerit dhe procedura e zbatimit të skemës së kompensimit, me qëllim bërjen efektive dhe funksionale të kësaj skeme, si dhe formalizimin e sektorit bujqësor”, thonë financat në përgjigjen zyrtare.
Edhe në programin “Shqipëria 2030” qeveria premton rishikim të skemës, përmes rimbursimit direkt për fermerët.
“Rishikojmë skemën e TVSH-s për fermerët bazuar në praktikat më të mira të BE me një efekt financiar prej rreth 1.5 mld lekë/vit transfertë direkte tek fermerët”, shkruhet në program.
Rimbursim apo barazim të TVSH-së?
Ilir Pilku, një nga ekspertët e certifikuar nga BE për “Politikat e Përbashkëta Evropiane”, sqaron se modeli i ri përafrohet me parimet e Direktivës 2006/112 të BE-së.
“Sipas nenit 295 të kësaj direktive, për çdo shitje që një fermer kryen drejt një biznesi të regjistruar, ai duhet të marrë një kompensim në përqindje si rimbursim për pjesën e kostos së paguar në TVSH. Aktualisht është në shqyrtim projektligji që parashikon kompensimin në nivelin 10% për fermerët që tregtojnë produktet e tyre në biznese të regjistruara,” shpjegon Pilku.
Ai shton se fermerët e vegjël, të cilët shesin direkt në treg, nuk përfshihen në këtë masë, ashtu si ndodh edhe në praktikat e vendeve të BE-së. “Procedura e rimbursimit dhe faturimit do të jetë pjesë e procesit të dixhitalizimit dhe standardizimit të sistemit,” thekson eksperti.
Ekspertja për çështjet e bujqësisë Esmeralda Ballesha shton se kjo përpjekje nëse administrohet mirë, mund të ulë kostot, të nxisë formalizimin dhe të barazojë terrenin me importet.
“Këto modele synojnë të lehtësojnë barrën fiskale dhe burokracinë për fermerët, duke inkurajuar formalizimin dhe rritjen e prodhimit vendas”, thekson Ballesha.
Por deputeti Erion Braçe, një nga zërat më të fortë në parlament për bujqësinë, këmbëngul prej vitesh se zgjidhja e duhur vjen vetëm përmes barazimit të TVSH-së.
“Rregullimi ligjor e përfundimtar i TVSH në tregun e brendshëm, barazimi i saj është jetik. Përmbysja dhe reformimi i plotë i skemës së subvencioneve, duke e çuar paranë tek bujku dhe për çdo njësi prodhimi, është jetik”, argumenton Braçe.
Aktualisht, fermeri shet prodhimin me 0% TVSH, ndërsa përpunuesi e shet në treg me 20% TVSH. Diferenca krijon një hendek që e bën më të leverdisshme blerjen e produkteve të importuara, ku TVSH kreditohet. Importuesi paguan 20 lekë TVSH në doganë, i zbritet në shitje dhe del në treg me vetëm 4 lekë TVSH të pagueshme. Për produktin vendas, përpunuesi paguan plot 24 lekë.
Deri në ndryshimin e kësaj skeme, fermerët do të vazhdojnë të vazhdojnë të shesin prodhimin e tyre më shtrenjt se importet. Dhe kjo ndodh në një kohë kur bujqësia është zyrtarisht në recesion. Pesha e bujqësisë në ekonomi ka rënë nga 19,24% në vitin 2014 në vetëm 15,45% në vitin 2024.

Përfundim
Nisur nga informacionet e mbledhura, deklaratën e kryeministrit Edi Rama se TVSH për fermerët duhet të njësohet, e kategorizojmë të pavërtetë. Qeveria ka në plan të rishikojë skemën e TVSH-së vitin e ardhshëm, por përmes rimbursimit direkt dhe jo barazimit të TVSH-së në shitje dhe blerje.