Esmeralda Topi

Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, qeveria dhe zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste organizuan një sërë inagurimesh të veprave publike. Ndër to ishte edhe ceremonia me këngë e valle për tunelin e Murrizit, pjesë strategjike e rrugës së Arbrit, që lidh Tiranën me Dibrën.

“Sot hapet tuneli i Murrizit prej 3.8 km i gjatë. Është plotësisht i përfunduar në të gjithë komponentët e tij dhe ana ndërtimore dhe elektromekanike. Gjithçka është funksionale”, deklaroi Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, më 14 mars. 

14 mars 2025

Por disa javë më pas, një përgjigje zyrtare që Faktoje.al mori nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë përmes një kërkese për të drejtë informimi, e rrëzon pjesërisht këtë deklaratë.

“Është në proces testimi dhe kolaudimi sistemi Elektro-Mekanik i Tunelit të Murrizit”, pohon MIE.

Pra, në momentin e deklaratës dhe inaugurimit, sistemi elektro-mekanik që përfshin ndriçimin, ventilimin, sistemet e sinjalistikës dhe sigurisë ishte duke u testuar.

Zvarritja e punimeve

Qeveria ka justifikuar vonesat me terrenin gjeologjik të vështirë në zonën e Murrizit. Vonesa të tilla, ekspertët i arsyetojnë ndryshe nga qeveria. Mungesa e analizave të plota në fazat e hershme të projektit është një prej tyre, argumenton Eduard Gjokutaj nga qendra ALTAX.

“Nëse studimet teknike nuk janë kryer me kujdes, ndodh që projektet të përballen me sfida të mëdha gjatë ekzekutimit. Zgjatja e afateve ndodh edhe kur nuk ka mbikëqyrje rigoroze ndaj kontraktorëve”, thotë Gjokutaj. 

Sipas tij, zvarritjet e projekteve në mënyrë të përsëritur krijojnë një model ku përfundimet e pjesshme shfrytëzohen për qëllime elektorale.

“Projekti i vonuar mund të përdoret si argument për përmirësim të performancës qeveritare në prag të zgjedhjeve, duke ofruar një ‘arritje’ të planifikuar për t’u shfaqur pranverën”, përfundon Gjokutaj.

Kosto e veprës 

Tuneli i Murrizit është segmenti më kompleks dhe i shtrenjtë i rrugës së Arbrit, me një gjatësi prej rreth 3.8 kilometra. Ai përfshin dy tunele: kryesorin për automjete dhe një tunel emergjence, me 11 lidhje hyrje-dalje mes tyre. Sipas të dhënave zyrtare të MIE, kostoja e tunelit arrin në 12.4 miliardë lekë pa TVSH (rreth 126.5 milionë euro), ndërsa e gjithë rruga e Arbrit kap shifrën 33.6 miliardë lekë pa TVSH (341.5 milionë euro).

Punimet për këtë tunel nisën në maj të vitit 2019, një vit pas nënshkrimit të kontratës koncesionare për rrugën e Arbrit. Megjithëse afati i kontratës ishte 13-vjeçar dhe përfundimi i rrugës ishte planifikuar për vitin 2027, zbatimi i ngadaltë e shtyu disa herë përfundimin e plotë të veprës. 

Zbatimi i kontratës koncesonare për rrugën e Arbrit ka hyrë zyrtarisht në vitin e shtatë të zbatimit, duke konsumuar gjysmën e afatit të kontratës 13 vjeçare me qeverinë shqiptare. 

Kompania që ka fituar koncesionin për rrugën e Arbrit ka marrë më shumë se gjysmën e financimit, mbi 12 miliardë lekë. Në tre vitet e ardhshme buxheti planifikon edhe 10 miliardë lekë të tjera.

Kompania koncesionare pritet ta dorëzojë projektin si aset te Autoriteti Rrugor Shqiptar në vitin 2031, në përfundim të afatit të kontratës.

Përfundim

Nisur nga informacionet e mbledhura, deklarata zyrtare për përfundimin e tunelit të Murrizit, rezulton gjysmë e vërtetë. Elementët kritikë të sigurisë dhe funksionimit si sistemi elektro-mekanik ishin në testim gjatë inaugurimit publik. Për këtë arsye, pas verifikimit të fakteve, Faktoje e kategorizon këtë deklaratë si gjysmë të vërtetë.