Pretendimi: Kjo foto tregon se një nga truprojat e Trump më parë ka qenë kuzhiniere në një mensë

Verdikti: E pavërtetë

————————————————

Pas atentatit kundër ish-presidentit amerikan Donald Trump, në rrjete sociale po qarkullon pretendimi se një nga agjentet e Shërbimit Sekret që shërbente si truprojë e tij, agjentja që nuk arrinte të fuste armën në këllëf ndërsa mbronte hyrjen në makinë të Trump, ka qenë më parë  punëtore mense në Washington D.C. Si provë, për këtë sillen dy foto që pretendohet se tregojnë të njëjtën grua.

Ky postim, dhe të tjerë të ngjashëm, duket se insinuojnë se Shërbimi Sekret ka ngritur në detyrë si truprojë të Trump një person të paaftë, qëllimisht.

Megjithatë, një kërkim i thjeshtë me motorin e kërkimit pamor Google Lens, tregon se gruaja në të majtë është Norma Motard, një punonjëse mense që punon në një gjimnaz në Florida.

Sipas artikullit të mësipërm, ajo ishte 59 vjeç në 2020, që do ta bënte 63 vjeç sot. Kriteret për të qenë agjent i Shërbimit Sekret kërkojnë që agjentët të jenë nën 37 vjeç kur nisin punën.

Sipas rrjeteve të saj sociale, Motard vijon të jetojë në DeLand, Florida.

Agjentja e Shërbimit Sekret që shfaqet në foton e djathtas mbetet e paidentifikuar, një element kyç i punës si pjesë e kësaj agjensie. 

Megjithatë, është e sigurt se ajo dhe Norma Motard nga DeLand, Florida janë dy persona të ndryshëm.