Pretendimi: Donald Trump pati probleme shëndetësore ose ka vdekur pasi Vance deklaroi se është gati ta zëvendësojë

Verdikti: E pavërtetë

Në ditët e para të shtatorit qarkulloi në rrjetet sociale pretendimi se presidenti i SHBA-ve, Donald Trump mund të kishte probleme shëndetësore apo edhe të kishte ndërruar jetë. Ky pretendim ushqehej nga fakti që Trump nuk ishte parë në publik prej disa ditësh. Lajmi u publikua edhe në portalet shqiptare si një kuriozitet i ditëve të fundit të verës. 

Sigurisht që këto pretendime bazoheshin në spekulime dhe teori konspiracioni pasi që prej asaj dite, Trump-i ka dhënë disa konferenca për shtyp. Trump është shfaqur publikisht pas përhapjes së këtyre zërave dhe i ka quajtur thashethemet mbi vdekjen e tij “lajme të rreme.” Në një konferencë për shtyp me datë 2 shtator, presidenti foli për teoritë mbi zhdukjen e tij si absurde. Edhe para konferencës për shtyp, që prej datës 31 gusht, Trump ishte fotografuar nga mediat amerikane, dhe më pas u raportua se ai është parë duke luajtur golf dhe duke kaluar kohë me familjen në Virginia.

Teoritë mbi zhdukjen ose vdekjen e Trump nisën që me datë 25 gusht, kur përgjatë një konference për shtyp, Trump u paraqit me një shenjë të dukshme në dorë. Kjo shenjë, e cila u cilësua “e ngjashme me atë të Mbretëreshës Elizabeth II” përpara vdekjes së saj, nisi spekulime të shumta mbi shëndetin e Trump. 

Sipas stafit të presidentit, kjo shenjë ka ardhur si pasojë e shtrëngimeve të shumta të duarve dhe përdorimit të aspirinës, një ilaç që hollon gjakun dhe mund të shkaktojë njolla të tilla. Trump gjithashtu është diagnostikuar me insuficiencë venoze kronike, një gjendje e zakonshme në moshë të thyer, që ndikon në qarkullimin e gjakut dhe mund të shfaqet në formë ndryshimesh të ngjyrës në lëkurë. 

Megjithatë, gazetarët amerikanë janë treguar skeptik ndaj letrës se stafit, duke qënë se në të shkuarë ata kanë manipuluar faktet dhe kanë gënjyer mbi shëndetin e Trump-it. Kur Trump u sëmur me COVID në tetor 2020, ai ishte shumë më i sëmurë sesa u pranua publikisht, dhe disa ndihmës patën frikë se ai duhej të ndihmohej në frymëmarrje nga pajisjet mjekësore. 

Spekulimet në rrjete u frynë edhe pasi zëvendës presidenti JD Vance deklaroi se ishte i gatshëm të zëvendësonte Trump-in. Kjo deklaratë u nxorr nga konteksti, pasi Vance u pyet dhe u përgjigj natyrshëm se ishte i gatshëm të merrte detyrën “nëse ndodh diçka e papritur.” Nëse një përgjigje e tillë do të jepej në një moment tjetër, ajo nuk do të kishte ngjallur ndonjë reagim të dyshimtë. 

Në fakt, spekulime mbi shëndetin e Trump vazhdojnë në anglisht pas një fjalimi që ai dha gjatë ceremonisë përkujtimore për 11 shtatorin. Megjithatë, për momentin nuk ka prova zyrtare që flasin për shëndetin e presidentit dhe ai është shfaqur vazhdimisht në publik përgjatë muajit shtator, duke marrë pjese në evenimente dhe duke dhënë konferenca per shtyp.