Nga Barbara Halla- Në javët e fundit të shkurtit, në mediat shqiptare qarkulloi lajmi se Presidenti i ShBA-së do të bëjë një vizitë në Moskë për të festuar së bashku me Vladimir Putin 9 Majin.

Lajmi që u përcoll nga mediat shqiptare është përkthyer nga një artikull i gazetës franceze Le Point, që ka cituar burime ruse: “Por më 9 maj, sipas burimeve tona, në tribunat e Moskës duhet të ketë një të ftuar të madh: Donald Trump, përkrah Vladimir Putin,” shkruajnë ata. Le Point është përgjithësisht një revistë e besueshme, megjithatë nuk ka pasur burime të tjera që të konfirmojnë lajmin. Në fakt, ai është hedhur poshtë menjëherë nga zyra e shtypit e Trumpit.

Me 9 maj 2025, Rusia do të përkujtojë 80 vjetorin e fitores ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore. Bashkimi Sovjetik – duke përfshirë atëherë jo vetëm Rusinë, por edhe Ukrainën, Bjellorusinë dhe të tjerët – humbi 27 milionë njerëz në atë që rusët sot e quajnë “Lufta e Madhe Patriotike” E quajtur ndryshe edhe “Dita e Fitores,” Putin e ka përdorur shpesh këtë celebrim për ta prezantuar Rusinë si një superforcë e cila ka triumfuar kundër fashizmit, dhe vazhdon ta luftojë atë.
Në fakt, festa e 9 majit është një nga eveniment që Putin përdor për propagandën e tij kundra Ukrainës. Ai e ka krahasuar vazhdimisht luftën në Ukrainë me luftën që ish-Bashkimi Sovjetik, së bashku me aleatët e tjerë, zhvilluan kundër Adolf Hitlerit. Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë e kanë denoncuar shpesh këtë retorikë nga ana e Putin si propagandë dhe justifikim për një luftë që kërkon të cenojë integritetin territorial të Ukrainës. Nëse Presidenti Trump do të merrte pjesë në këtë celebrim, sidomos përkrah Putinit, ky gjest do të shihej si një mbështetje e narrativës dhe synimeve të Putin.
Në fakt, këtu bëhet fjalë dhe për një lajm të ricikluar nga koha e mandatit të parë të Trump. Në vitin 2019, Putin ka thënë po ashtu se priste një vizitë nga ana e Trump-it po për rastin e 9 majit, një vizitë që nuk u bë kurrë.

Lajmi është përgënjeshtruar direkt nga zyra e Trumpit. I pyetur nga gazetarët amerikanë përgjatë një konference shtypi më 21 shkurt. Sekretari i shtypit i Putinit, Dmitry Peskov, mohoi gjithashtu raportet se Trump kishte planifikuar të vizitonte Moskën në të ashtuquajturën “Dita e Fitores”.

Megjithatë, lajmet vijnë në momentin kur politika e jashtme e SHBA-së nën Trump duket se po ndryshon qasjen ndaj aleancave me botën perëndimore, shpesh me pretekstin se Amerika ka harxhuar së tepërmi duke ndihmuar Ukrainën dhe tani duhet të fokusohet tek problemet e veta. Kjo politikë doli në pah edhe gjatë takimit të Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në SHBA me 28 shkurt. Trump dhe zëvendësi i tij JD Vance, ju kthyen kundër dhe e sulmuan Zelenskin duke e konsideruar atë mosmirënjohës, edhe pse Zelensky e falenderoi SHBA-në 33 herë gjatë takimit, sipas një verifikimi të kryer nga CNN.
