Pretendimi: Donald Trump u hoq nga “lista e vdekjes” e Mirotvorets “gjuetarët e armiqve të Ukrainës”.
Verdikti: E pavërtetë
———————————————————-
Pas zgjedhjes së Donald Trump president i ShBA, një artikull i portalit mast.al pretendon se ai u hoq nga “lista e vdekjes” e faqes së internetit Mirotvorets “gjuetarët e armiqve të Ukrainës.”
Faqja Mirotvorets funksionon që nga pranvera e vitit 2014. Ajo u bë e famshme për shkak të publikimit të të dhënave personale të njerëzve që, sipas aktivistëve, vizituan Krimenë e aneksuar ose thjesht bënë deklarata armiqësore për Ukrainën. Kjo faqe është kritikuar vazhdimisht nga OKB, përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe OSBE për shkak të kërcënimit të mundshëm ndaj sigurisë pas publikimit të të dhënave personale të personazheve të njohur. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se ai nuk ka fuqinë për të mbyllur faqen.
Pretendime se Trump ishte shtuar në databazën e Mirotvorets u shfaqën në verën e vitit 2018. Sipas burimeve të pakonfirmuara, pak para se të shtohej në databazë, presidenti amerikan kishte deklaruar në një bisedë jozyrtare me liderët e tjerë të G7 se Krimea ishte ruse, sepse banorët e saj flisnin rusisht. Shtëpia e Bardhë zyrtarisht refuzoi të komentojë mbi këtë informacion. Një deputet i Dumës ruse më pas parashikoi që Trump do të përfshihej në databazën famëkeqe, dhe disa ditë më vonë burime në gjuhën ruse e raportuan këtë dhe publikuan një imazh si dëshmi.
Verifikimet e mëtejshme konfirmojnë se prej 8 nëntori 2024, nuk ka asnjë faqe për Trump në faqen e internetit Mirotvorets. Ajo nuk gjendet as me anë të arkivit Internet Archive. Forma standarde e përfundimit të adresës së faqeve personale në Mirotvorets është mbiemri i ndjekur nga emri me një vizë në mes. Për shembull, skedari i Ivan Petrov, mund të gjendet duke kërkuar adresën https://myrotvorets.center/criminal/petrov-ivan në Internet Archive. Megjithatë, kjo metodë nuk funksionon me Trump, pra arkivi ose nuk ka regjistruar një faqe të tillë gjatë gjithë ekzistencës së tij, ose ajo nuk ka ekzistuar kurrë.
Imazhi i mësipërm ngre gjithashtu pyetje. Së pari, titulli i skedarit rendit mbiemrin e personit të futur në bazën e të dhënave, pastaj emrin e tij. Krahasojmë skedarin e Tucker Carlson. Në rastin e skedarit të pretenduar të Trump, ky rregull nuk zbatohet.
Më tej, sipas mediave ukrainase, në 2018 vetë Mirotvorets mohoi ekzistencën e një faqeje kushtuar Trump, duke komentuar lajmin si më poshtë: “Ky sulm i rremë po kryhet me qëllim të mashtrimit të diplomatëve perëndimorë”. Në verën e vitit 2018, edhe botimi pro-Kremlin Tsargrad mohoi ekzistencën e një skedari për Trump në Mirotvorets.
Kështu, nuk ka pasur kurrë një faqe kushtuar Trump në faqen Mirotvorets dhe për këtë arsye ajo nuk mund të jetë hequr në nëntor 2024. Drejtori i Mirotvorets, Roman Zaitsev përgënjeshtroi pretendimin në faqen e tij në Facebook.