Pretendimi: Presidenti amerikan Trump ka poshtëruar presidentin francez Macron duke nxjerrë punonjësen ta presë, e pastaj duke e ulur anash tavolinës
Verdikti: Mungon konteksti
——————————————————————-
Mbërritja e presidentit francez në Shtëpinë e Bardhë më 24 shkurt 2025 është raportuar në disa media shqipfolëse si poshtërim nga ana e presidentit amerikan Trump.
Sipas artikullit, “Donald Trump u duk se poshtëroi presidentin francez Macron kur nuk doli fare ta priste në mbërritjen e tij në Shtëpinë e Bardhë ndërsa pak më pas e uli atë anash tavolinës së tij në Zyrën Ovale.”
Në të vërtetë, në 24 shkurt 2025, presidenti francez Emmanuel Macron bëri një vizitë rrufe në Washington DC. Ai kishte një axhendë të ngjeshur: një video-konferencë me vendet e G7 në mëngjes, e ndjekur nga një takim me presidentin amerikan Trump dhe një konferencë e përbashkët për shtyp në mbrëmje. E gjithë kjo ndodhi në Shtëpinë e Bardhë.
Ai u mirëprit nga Abigail Jones, Shefja e Protokollit të Shteteve të Bashkuara, e cila gjithashtu shoqëroi Macron në Blair House – rezidenca zyrtare e përfaqësuesve të vendeve në vizita zyrtare në Shtëpinë e Bardhë – pas takimit të G7.
Më vonë gjatë ditës, para takimit të tij me Trump, pati një mbërritje zyrtare të Macron në shkallët e Shtëpisë së Bardhë. Me këtë rast, presidenti francez është pritur në ardhjen e tij nga presidenti amerikan, siç shihet në disa video, të shpërndara edhe nga vetë Trump dhe Shtëpia e Bardhë, si dhe në disa fotografi.
Foto: AFP
Foto: AFP
Foto: AFP