Pretendimi: Presidenti amerikan Donald Trump do të pranojë një takim me Vladimir Putin vetëm nëse presidenti rus pranon të flasë me Volodymyr Zelensky.

Verdikti: E pavërtetë

——————————————————-

Njoftimi se Donald Trump dhe Vladimir Putin kanë rënë dakord të takohen për të diskutuar luftën në Ukrainë u parapri në mediat shqipfolëse nga lajmi se Trump kishte deklaruar se nuk do të kishte takim me Putin nëse ai nuk pranon të ulet me udhëheqësin ukrainas Zelensky.

Megjithatë, kjo deklaratë nuk është e Trump, por e një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë.

Madje, më 7 gusht, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se Trump ishte “i hapur” për t’u takuar me Putin, megjithëse preferenca ishte ende për një takim trepalësh.

“Siç tha Presidenti Trump dje, rusët shprehën dëshirën e tyre për t’u takuar me Presidentin Trump dhe Presidenti është i hapur për këtë takim”, tha Leavitt në një deklaratë për ABC News. “Presidenti Trump do të donte të takohej si me Presidentin Putin ashtu edhe me Presidentin Zelensky sepse dëshiron që kjo luftë brutale të përfundojë. Shtëpia e Bardhë po punon mbi detajet e këtyre takimeve të mundshme dhe detajet do të ofrohen në kohën e duhur.” 

Po atë ditë, vetë Trump tha se Putin nuk ka nevojë të takohet me Zelenskyn si kusht që ai dhe Putini të takohen. “Jo, ai [Putin] nuk duhet ta bëjë këtë,” u tha Trump gazetarëve në Zyrën Ovale.
Zelensky udhëtoi për në Berlin për bisedime me kancelarin gjerman Friedrich Merz, udhëheqës evropianë dhe zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara përpara takimit të planifikuar midis Trump dhe Putin.