Nga Ben Andoni

Rizgjedhja e presidentit amerikan Donald Tramp e ka lënë në një pezull të madh Ballkanin, me ndjesinë e filmave të regjisorit ekscentrik Alfred Hiçkok. Por ndërsa ka shtuar zërat optimistë në Serbi dhe në të ashtuquajturën “Botën Serbe” për ndryshime pozitive të politikave ndaj Beogradit, në hapësirën shqiptare ka një gjendje të papërcaktuar pritshmërie. Më shumë hamendësi deri tani për ato që do sjellë në politikën e jashtme për Kosovën, si dhe ndikimi që do të ketë në vendet e tjera të rajonit.

***

Shqipëria është vendi deridiku më i qetë me riardhjen e Tramp. Kryeministri shqiptar Rama ishte nga të parët që e nderoi presidentin e sapozgjedhur me një mesazh në platformën Twitter, shndërruar në X nga Musk, me fjalët më të përzemërta, por duke u munduar të ruajë një sens respekti edhe me qeverisjen demokrate të z. Biden: “Ishte një nder i vërtetë të punoja së bashku me Presidentin e 46-të të Shteteve të Bashkuara për të forcuar lidhjen midis dy vendeve tona. Mezi pres privilegjin e madh të punoj me Presidentin e 47-të për të përmirësuar më tej partneritetin tonë për paqe, prosperitet dhe përparim të mëtejshëm”, shkruan Rama. Në kampin opozitar (PD), zgjedhja e Tramp po përjetohet si fitore, sidomos nga kryetari i saj Sali Berisha, që iu revokua në orët e fundit “arresti shtëpiak”.

***

Ka një besim të verbër në Kosovë, që të kujton thirrjen e dëshpëruar dikur të shqiptarëve për Perëndimin, apo si dikur rilindësit mëtonin se: “për shqiptarët dielli lind nga Perëndimi”, e shndërruar me të drejtë se: “Për Kosovën, dielli lind nga Amerika!” Kjo i mbyll të gjitha hamendësitë, pasi cilido qoftë presidenti në Shtëpinë e Bardhë, qoftë një republikan apo demokrat, për kosovarët: Uashingtoni mbetet garanti kryesor për integrimin e plotë të Kosovës në sistemin ndërkombëtar, si edhe për forcimin e pozicionit të saj në nivelin global. Megjithatë, kryeministri kosovar, Albin Kurti, është parë i tërhequr duke ruajtur gjuhën diplomatike: “SHBA-ja është një aleate, mike dhe partnere kyç për Kosovën dhe mezi presim të punojmë së bashku për përparim dhe paqe”, shkroi Kurti në X. Anipse, pak kohë më parë në konventën e Demokratëve, do të shprehej: “Jam një demokrat dhe një socialdemokrat”. Ndërsa e quajti ish-presidentin republikan Donald Tramp: “një kandidat ‘të pazakontë’.

Duket se regjistër tjetër ka përdorur, presidentja e vendit, që në ditët e fundit ka nisur fushatën sipas mënyrës së saj. Ajo theksoi se SHBA-ja mbetet partner dhe aleat “i palëkundur dhe i pazëvendësueshëm” për Kosovën. “Pres me padurim të punoj me administratën e re, për të thelluar më tej lidhjen tonë unike dhe aleancën strategjike”, shkroi presidentja Osmani në X.

Entuziazmi ka vijuar edhe tek fqinjët tanë veriorë. Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, tha se: “më e mira ende nuk ka ardhur për dy vendet tona. Jam i emocionuar nga fakti që 61 për qind e amerikanëve besojnë se ditët më të mira të SHBA-së ende nuk kanë ardhur. Ky është sekreti i suksesit të këtij vendi dhe arsyeja pse ai do të fitojë në çdo rrethanë”, tha Spajiq, por pa precizuar se si do ndikojë në marrëdhëniet mes dy vendeve

***

Entuziazmi për Tramp është kthyer gati në histeri në Beograd. Dhe, jo pa shkak. Presidenti i Serbisë, Vuçiq e shprehu kënaqësinë kur pohoi se ishte ndër “10 apo 15 liderët e parë botërorë” që foli me Tramp pas fitores së tij në zgjedhjet e 5 nëntorit, duke e quajtur atë një “nder të madh”. “Tramp dinte shumë gjëra për Serbinë”, tha Vuçiq, duke shtuar se ai e kishte ftuar presidentin e ardhshëm të vizitonte Serbinë, një vend që “tregoi nivelin më të lartë të mbështetjes për zgjedhjen e Tramp në të gjithë Evropën”, sfidoi ai në mënyrë cinike.

Në detaje, Vuçiq do shtonte se gjatë bisedës telefonike, kishte qenë i pranishëm edhe miliarderi i famshëm Elon Musk.

Nuk mbaron këtu: Lëvizja konservatore “Naši” (Tonët) ka vendosur në qendër të Beogradit pankarta ku shquhen fotografi të presidentit të ri të SHBA-së, Tramp dhe njeriut më të pasur në botë Elon Musk. Për analogji të sloganit të Tramp, është shtuar slogani “Make Serbia Great Again” (Ta bëjmë Serbinë sërish të madhe), përcjell Telegrafi.

Famëkeqi Milorad Dodik, i fiksuar në listën e zezë amerikane, u është drejtuar qytetarëve para pallatit të Republikës Sërpska në Banja Llukë, duke thënë se: “kjo është fitore e Amerikës në të cilën ne besojmë, që është për paqen”.

Por dalldia serbe nuk mbaron këtu: Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, pohoi se: shpreson që pas 21 Janarit, kohës së inaugurimit të presidentit të ri amerikan, Donald Tramp, do t’i jepet një shtysë e re bisedimeve për zgjidhjen e konflikteve, ndërsa ka sjellë një lajm se: Beogradi po lobon fuqishëm që presidenti i ri Trump të vizitojë Serbinë. Ndërkohë, qysh nga viti 1980, kohë kur presidenti i fundit amerikan Xhimi Karter vizitoi ish-Jugosllavinë, asnjë president amerikan nuk ka shkelur më atje. Kurse më përpara, e vizituan Riçard Nikson (1970) dhe Xherald Ford (1975). Ndërkohë, rajonin, por jo Serbinë e kanë vizituar në vitet fundit zyrtarisht: Bill Klinton dhe Xhorxh Ë. Bush (Të dy erdhën në Shqipëri). Obama e shmangu këtë pjesë të Evropës, referon Telegrafi i Kosovës.

***

Pesha e dialogut dhe normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi, mbetet kryefjala e të gjithave dhe llogaritja e politikanëve të gjithë vendeve. Administrata aktuale Biden e ka inkurajuar vazhdimisht Kosovën që të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë, si kusht për të ecur përpara në rrugën e integrimit evropian.

Kurse mandatin e shkuar, Tramp, sa ishte president, ishte jo vetëm nxitës por mori rolin e dëshmitarit kryesor të nënshkrimit të një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike.

Mirëpo, administrata e mëparshme e Trumpit ka thënë gjithashtu se nuk do ta kundërshtonte shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë për ta zgjidhur mosmarrëveshjen mes tyre, me kusht që Prishtina dhe Beogradi do të përpunonin një “zgjidhje të kënaqshme reciproke”.

Qeveria aktuale e Kosovës e ka kundërshtuar një ide të tillë.

Ish shefi i stafit të kongresistit amerikan, Eliot Engel dhe, bashkautori i një raporti për Kosovën, Jason Steinbaum, është shprehur se ende nuk e dimë se cili do të jetë interesi i administratës së re amerikane në këtë drejtim.

***

Me gjithë entuziazmin e Serbisë në këto ditë, ata nuk besohet se mund ta harrojnë lehtë letrën e administratës Tramp në adresë të Beogradit. Në shkurt të vitit 2019, presidenti Trump ua bëri të qartë se: procesi i dialogut me Kosovën duhej të përfshinte një njohje të ndërsjellë. Ky ishte një tjetër hap për të nxitur Serbinë që ta pranojë realitetin e Kosovës si një shtet i pavarur dhe ta pranonte njohjen si pjesë të një marrëveshjeje përfundimtare. Çuditërisht, paradoksi ndodhi me administratën Biden dhe BE-ja, që e liberalizuan shumë gjuhën, madje hoqën dorë nga kërkesa për marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese.

Paçka se demokratët kanë shumë peshë në Ballkan dhe shumë njohje të liderve, politika më e qartë e SHBA-së ka qenë nën republikanët Xhorxh Bush dhe Donald Tramp. Dhe, vërtetë nën presidencën e Bushit u krijuan dy shtete të reja: Mali i Zi (2006) dhe Kosova (2008), Shqipëria dhe Kroacia u shndërruan në anëtare të NATO-s, ngjarje që e shënojnë konsolidimin më të suksesshëm të Perëndimit në rajon, që nga përfundimi i luftës në Kosovë. Nuk po përmendim aktin e mësipërm të Tramp për ushtrinë në Kosovë dhe anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.

Ndaj, të gjithë në thelb i druhen momentit të parë, sesi do të vendosë Tramp të hyj në Ballkan: si elefanti në dyqanin e qelqurinave apo si shpëtimtar. Kjo ndjesi e Hitçkok është gjendja e vërtetë sesi e pret realisht Ballkani atë.