Treshja e Kolegjit pa unanimitet, çështja “Balluku” shqyrtim nga 8 gjyqtarë

Kushtetuesja i ka lënë kohë vetes për të marrë në shqyrtim çështjen, fillimisht duke mbledhur të gjithë gjyqtarët për të vendosur nëse do të kalojë ose jo për shqyrtim në themel

35
Foto nga LSA

Sebi Alla- Kolegji Penal i Gjykatës Kushtetuese i përbërë nga tre gjyqtarë vendosi që ankimimi i qeverisë ndaj vendimit të GJKKO-së për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku do të shqyrtohet në mbledhjen e gjyqtarëve.

“Kolegji vendosi kalimin e çështjes në Mbledhjen e Gjyqtarëve për të vlerësuar nëse plotësohen bashkërisht të gjitha kriteret e pranueshmërisë së saj për shqyrtim në seancë plenare në përputhje me nenin 31 të ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese dhe nenin 24 të Rregullores për Procedurat Gjyqësore”, thuhet në njoftimin që Gjykata Kushtetuese u shpërndau gazetarëve.

Fitim kohe

 Me ketë vendim, Kushtetuesja i ka lënë kohë vetes për të marrë në shqyrtim çështjen, fillimisht duke mbledhur të gjithë gjyqtarët për të vendosur nëse do të kalojë ose jo për shqyrtim në themel dhe nga ana tjetër mund të presin edhe vendimin e Apelit të GJKKO-së.

Më 20 nentor të këtij viti, Gjkata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi të pranojë kërkesën e Prokurorisë Speciale, SPAK, për “pezullim nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe bllokim të pasaportës për të mos dalë jashtë vendit”.

Ajo akuzohet për “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera ose ankande publike” në dy raste për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë dhe Lotin 4 të Unazës së Madhe. Ky vendim u ankimua në Gjykatën Kushtetuese nga kryeministri Edi Rama.   

Vendim pa “vendim”

Gjykata Kushtetuese në vendimin e djeshëm i është referuar nenit 24 të Rregullores së Procedurave Gjyqësore.  Në pikën 3, germa b), thotë: “kalimin e çështjes për shqyrtim në Mbledhjen e Gjyqtarëve, në rast se ka dyshime lidhur me plotësimin e kritereve të pranueshmërisë”. Sikurse theksohet në vendim, fakt është që Kolegji nuk ka qenë njëzëri dhe ka pasur kundërshti për kriterin e pranueshmërisë së kërkesës

Duke iu referuar çështjes konkrete tre anëtarët e Kolegjit Penal nuk kanë mundur të dalin me vendim unanim dhe për pasojë kanë thirrur Mledhjen e Gjyqtarëve të përbërë nga tetë anëtarë.

Politikë me interpretime

Kryeministri Edi Rama ka vijuar edhe ditën e sotme që të komentojë çështjen, duke “sfiduar” që të gjendet një rast në Europë ky gjykata të ketë vendosur pezullimin nga detyra të një anëtari qeverie. Sipas tij, pezullimi nga detyra i zëvëndëskryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjitikës është aniligjor dhe ndërhyrje në kompetencat e pushteteve. “Qëllimi i lartë i luftës kundër korrupsionit nuk e justifikon përdorimin e asnjë mjeti të gabuar dhe historia e vendeve që kanë kaluar më parë nga kjo rrugë e domosdoshme, na mëson se justifikimi i mjeteve të gabuara për hir të qëllimit madhor, e kthen kurën me mjete të tilla, në një të keqe edhe më të madhe se sa vetë sëmundja që thuhet se këto mjete po kurojnë”, shkruan Rama.

“Keqlexohet” vendimi

Kreu i Partisë Demookratike Sali Berisha tha se ndaj anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese po bëhet presion nga kryeministri Rama. Ai kërkoi që seanca për shqyrtimin e “çështjes Balluku” të jetë publike, ndërsa hodhi akuza ndaj kryeministrit Rama. “…gjykata në një presion të tmerrshëm vendosi të shqyrtojë çështjen e përfaqësuar nga avokati i vjedhjeve qeveritare nga Edvin Kristaq Rama, duke mos komentuar më tej i bëj thirrje GJK të parashikojë seancë publike në gjykimin e kësaj çështje sepse është cështja më e nxirë në historinë e jurisprudencës europiane”, tha Berisha.

Pasoja

Ndërkohë vendimi i sotëm ia ka kaluar topin mbledhjes së tetë gjyqtarëve. Pra do të jenë këta të fundit që do të vendosin për ta shqyrtuar çështjen ose jo në themel ditët në vijim. Ndaj dhe deklaratën e sotme të kryetarit të PD-së, Sali Berisha e kategorizojmë të pavërtetë