Pretendimi: Një kompani treni japoneze ka kërkuar falje dhe ka rimbursuar pasagjerët për një vonesë 35-sekondëshe të trenit

Verdikti: Gjysmë e vërtetë

—————————————————————

Një numër mediash shqipfolëse raportuan në gusht 2025 se në Japoni, një kompani trenash kishte kërkuar falje dhe kishte rimbursuar biletat e pasagjerëve pasi treni ishte vonuar 35 sekonda.

Sipas artikujve, “një drejtues treni Shinkansen kërkoi falje publike nga pasagjerët pasi treni i tij mbërriti 35 sekonda me vonesë në stacionin e destinacionit. Si pjesë e kulturës japoneze të përgjegjësisë dhe respektit ndaj udhëtarëve, kompania vendosi të rimbursojë plotësisht të gjithë pasagjerët, pavarësisht se vonesa ishte më pak se një minutë.”

Megjithatë, ato nuk citojnë ndonjë burim apo referencë për këtë lajm.

Në Japoni, ka raste të dokumentuara të kompanive të trenave që kërkojnë falje edhe për nisje të parakohshme 20-30 sekonda. Një shembull është Tsukuba Express, e cila në 2017 kërkoi falje zyrtare sepse një tren u nis 20 sekonda më herët.

Megjithatë, rimbursimet nuk përmenden kurrë. Për më tepër, sipas rregullave zyrtare të JR (Hekurudhat e Japonisë) në lidhje me Shinkansen, një rimbursim i plotë është i disponueshëm vetëm në rast të një vonese prej të paktën dy orësh. Ky rimbursim varet gjithashtu nga lloji i biletës. Vetëm biletat e blera me tarifën ekspres, jo me tarifën standarde, janë të rimbursueshme.

Shënim: Data 20 gusht 2025 Gazeta Sinjali e ka korrigjuar lajmin, pas verfikimit të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.

Shënim: Data 29 gusht 2025 portali in7.info e ka korrigjuar lajmin, pas verfikimit të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.