Pretendimi: Kjo video tregon një treg krishtlindjesh me borë në Tiranë
Verdikti: E pavërtetë
——————————————————–
Një video që ka marrë mbi 3 mijë pëlqime në Instagram nga një profil që u drejtohet kryesisht emigrantëve shqiptarë, tregon një treg me atmosferë krishtlindjesh në një mbrëmje me borë. Mbishkrimi i videos pretendon se ajo është xhiruar në Tiranë, duke nxitur interes tek ndjekësit që mund të kenë nostalgji për kryeqytetin që kanë lënë pas.

Siç vërejnë shumë nga komentet, e para gjë që duhet ta bëjë lexuesin nga Tirana skeptik është fakti se bora në Tiranë është një fenomen i rrallë. Bora e fundit që mbuloi Tiranën për pak orë ishte në vitin 2018.
Një tjetër tregues që na bën të dyshojmë është shkrimi që shfaqet i projektuar mbi një ekran, i cili qartazi nuk është shqip: “Targul de Craciun”
Një kërkim i thjeshtë në rrjet zbulon se togfjalëshi i mësipërm do të thotë “treg krishtlindjesh” në rumanisht.
Një tjetër shkrim i projektuar mbi ekran duket se lexon “Primaria Municipiului Chisinau”, emri i institucionit të Bashkisë së Kisinaut, Moldavi.


Në një tjetër moment të videos, vërehet duke u valëvitur një flamur moldav.

Qartazi, kjo video nuk është xhiruar në Tiranë. Me gjasa, ajo është filmuar në Kisinau, kryeqytetin e Moldavisë.






