Daniela ZISI
Tezgat e tregtarëve ambulantë vijojnë të jenë të pranishme buzë rrugëve kombëtare, edhe në juglindje të vendit. Ky aktivitet shumë pranë karrexhatës, sidomos në sezonin e dimrit, është një rrezik i përhershëm edhe për jetën e vetë tregarëve. Por ata refuzojnë të largohen pasi e kanë mënyrë për të mbijetuar. Disa muaj më parë, kryeministri Rama bëri thirrje për dhënien fund të kësaj situate, por as ARRSH si enti pronar i rrugës dhe as bashkitë apo policia Rrugore, nuk ia kanë dalë të japin zgjidhje përfundimtare, pavarësisht aksioneve të përsëritura.
“Rrugët kombëtare në segmente të caktuara janë qartazi zona me rrezik të lartë,për shkak se në anë të tyre ka aktivitete tregtare pa asnjë mbrojtje minimale për ata që qarkullojnë dhe kjo situatë duhet të marrë fund.”- deklaroi kryeministri Rama në 14 maj të këtij viti.
Në muajin qershor, në prag të sezonit turistik veror, prefekti i Korçës Dhori Spirollari njoftoi ngritjen e një task force të përbashkët të policisë Bashkiake, policisë së Rendit dhe asaj Rrugore, për largimin e tregtarëve nga akset kombëtare. Brenda pak ditësh, pavarësisht kundërshtive dhe rezistencës së tyre, rrugët e juglindjes u çliruan nga tezgat, tendat, thasët dhe arkat me prodhime bujqësore. Kur kanë kaluar thuasje 6 muaj nga ky aksion, ne vendosëm të bëjmë një verifikim për Faktoje, pikërisht në zonat e konsideruara me rrezik të lartë për aktivitetet tregtare. Nga vëzhgimi në terren konstatuam se tregtarët i janë rikthyer shitjes të prodhimeve të tyre në afërsi të rrugëve nacionale Korçë-Pogradec-Qafëthanë, Korçë-Devoll dhe Korçë- Ersekë. Problematika e mbartur prej tri dekadash nuk gjeti zgjidhje as nga urdhëri i fundit i kryeministrit Rama dhe as nga aksionet, të cilat kanë dhënë rezultat të përkohshëm.
Në foto rruga nacionale Korçë – Pogradec, datë 17 nëntor 2021
Mungesa e tregjeve, largësia e tyre nga zonat e banimit, por edhe çmimi i ulët që ofrohet nga tregëtarët e shumicës, sipas shumë fermerëve në Korçë, Maliq, Devoll dhe Pogradec, i detyron ata të nxjerrin prodhimet e të shesin vetë në rrugë. Tregtarët ambulantë i vendosin tendat dhe arkat me produkte në afërsi të brezave të rezervuar të rrugës, kryqëzime apo edhe sheshpushime për mjetet, me shpresën që udhëtarët të ndalojnë e të blejnë.
Nga Bilishti deri në Lin të Pogradecit fermerët kanë ngritur dhjetra minitregje, në kundërshtim me dispozitat e Kodit Rrugor. Tendat janë pozicionuar shumë afër karrexhatës dhe rrugës kombëtare.
Gurie Shkëmbi nga fshati Biranj i Korçës, prej fillimit të viteve ’90 del në rrugë për të shitur prodhimet e tokave të saj. Arkat me mollë dhe disa thasë me patate, qepë dhe fasule i ka vendosur jo më larg se gjysmë metri nga rruga nacionale. Sot ka qenë një ditë e keqe për 67 vjeçaren, e cila edhe pse ka dalë prej orës 7 të mëngjesit, nuk ka shitur asgje.
“Të gjithë bashkëfshatarët kanë dalë në rrugë për të shitur dhe ne nuk kemi pse të bëjmë ndryshe. Nga e keqja dalim këtu, në mes të të ftohtit dhe shiut, se nuk kemi ku ta shesim mallin. Presim ndonjë udhëtar apo turist të na blejë ndonjë kile mollë apo kurorë me qepë sa të nxjerrim bukën e ditës. Edhe pse jam pensioniste dal këtu për të fituar ndonjë lek më tepër, të ndihmoj edhe familjen e djalit,”- thotë e moshuara, e cila shton se herë pas here policia bashkiake u kërkon të largojnë tezgën dhe arkat nga rruga.
Në foto Gurie Shkëmbi, tregtare ambulante nga fshati Biranj, Korçë
Bashkia e Korçës, në një përgjigje pas kërkesës zyrtare për informacion, pohon për Faktoje, se përgjatë aksit nacional Korçë-Pogradec ushtrojnë aktivitet rreth dhjetë tregëtarë, një pjesë e të cilëve të pajisur me NIPT fermeri.
“Tregëtarëve që janë gjetur pa NIPT u është sekuestruar malli, policia bashkiake ushtron vazhdimisht kontrolle ndaj tregëtarëve që shesin në rrugët nacionale dhe ka marrë masa për shmangien e aksidenteve rrugore. Por pavarësisht kontrolleve të policisë bashkiake, fermerët janë të vendosur të dalin në rrugë, derisa t’i shesin të gjitha prodhimet.”-thuhet në përgjigjen zyrtare të bashkisë.
Screenshot i përgjigjigjes së bashkisë Korçë
Disa prej fermerëve të Lumalasit i kanë nxjerrë arkat me fruta dhe perime fare afër sheshpushimit të mjeteve, të ndëërgjegjshëm se rrezikohen ose mund të bëhen burim aksidentesh nga mjetet që lëvizin me shpejtësi dhe bëjnë parakalime përgjatë këtij segmenti.
Gëzim Metollari nga fshati Lumalas ka marrw me qera 4 hektarw tokw, por thotë se pjesa më e madhe e prodhimit i ka mbetur pa shitur, prandaj detyrohet të dalë çdo ditë në rrugë.
“Tregëtarët e shumicës po na japin çmime qesharake për mollët, deri 20 lek për kg dhe po ashtu për pataten dhe qepën. Kam provuar të shes në tregun e shumicës në Korçë, por kam dalë duarbosh. Rruga është e vetmja mundësi për të shitur prodhimet sa të mbulojmë kostot e qirasë së tokës”-thotë ai.
Autoriteti Rrugor Shqiptar, enti pronar i rrugës, i pyetur për Faktoje, u përgjigj se nuk ka dhënë leje për ushtrim aktiviteti si tregëtarë ambulantë në këto segmente rrugore.
“Tregëtarët ambulantë, duhet të kryejnë aktivitetin pa cënuar sigurinë rrugore, sipas nenit 25/1të Kodit Rrugor: Nuk mund të kryhen, pa lejen paraprake të entit pronar të rrugës përshkime dhe përdorime të zonës rrugore dhe pjesëve përbërëse të saj.” -thuhet ndër të tjera në përgjigjen e ARRSH.
Screenshot i përgjigjes së ARRSH)
Pamundësia për të gjetur punë dhe gjendja e vështirë ekonomike e kanë nxjerrë në rrugë edhe Esmeralda Myftarajn. Ajo i ka vendosur thasët dhe arkat me prodhime në sheshpushimin e mjeteve në Lumalas.
“Në verë na hoqi nga rruga polica bashkiake, jo se shesim afër rrugës, por ngaqë
s’kishim NIPT, ndërsa në shtator kur u bënë prodhimet, dola sërsish në rrugë”,-thotë Esmeralda e cila nuk ka mënyrë tjetër jetese.
Esmeralda Myftaraj, tregtare ambulante nga fshati Lumalas
Ashtu si fermerët e Korçës, edhe ata të Maliqit kanë mbushur rrugën nacionale me fruta dhe perime. Shpresa ka vendosur një tezgë dhe pas saj disa arka me mollë gati dy pëllëmbë larg brezit të rrugës kombëtare në Sovjan.
“Dal në rrugë prej orës 6 të mengjesit dhe rri deri në orën 20 të mbrëmjes. Kam dy fëmijë në shkollë dhe me të ardhurat që nxjerr nga toka mezi kalojmë muajin. Herë fitoj 200 lek, herë nuk shes asgjë. Treg ku të shesim prodhimet Maliqi nuk ka. Në Korçë nuk i çoj dot se nuk kam me çfarë t’i transportoj”-thotë 45vjeçarja e cila prej 5 vitesh shet buzë rrugës.
Bashkia Maliq në përgjigjen ndaj kërkesës zyrtare për informacion thotë se ka vënë në dijeni tregtarët ambulantë se ky aktivitet është në kundërshtim me Kodin Rrugor dhe ndaj shkelësve janë vendosur gjoba. Por tregëtarët nuk janë larguar nga rruga edhe pse bashkia e Maliqit ka dy tregje për fermerët e kësaj zone, një në Maliq dhe tjetri në Pirg.
(Screenshot i përgjigjjes së bashkisë Maliq)
Edhe segmenti rrugor në drejtim të Pogradecit dhe Qafëthanës paraqet të njëjtën pamje. Tregtarët e vendosin prodhimin edhe në kryqëzime apo sheshpushime mjetesh si në Gurishtë, Çërravë, Grabovicë apo Leshnicë.
Në foto nacionale Korçë – Pogradec, Leshnicë
Bashkia e Pogradecit, sqaroi se përgjatë këtij segmenti kryejnë aktivitet 40-50 tregëtarë ambulantë.
“Policia bashkiake ka kryer kontrolle periodike me synim largimin e këtyre subjekteve përgjatë rrugës, për të parandaluar rrezikun e aksidenteve”-thuhet në përgjigje të kërkesës për infrmacion të bashkisë Pogradec, e cila ashtu si bashkitë e tjera të qarkut, nuk ka mundur të gjejë mekanizmat për t’i larguar tregëtarët ambulantë nga aksi kombëtar. Bashkia e Pogradecit ka ngritur 3 tregje përgjatë rrugës deri në Lin, por fermerët e konsiderojnë shitjen e prodhimeve në rrugë me më shumë leverdi.
Screenshot i përgjigjies së bashkisë Pogradec
Kërkesave të përsëritura të ARRSH për të hequr ambulantët nga rruga, bashkitë e qarkut Korçë, i janë përgjigjur me aksione dhe kontrolle të vazhdueshme, por pa sukses.
“Autoriteti Rrugor Shqiptar në mënyrë të përsëritur u ka kërkuar institucioneve respektive të marrin masa në terren për të normalizuar situatën.”- sqaron ARRSH për Faktoje, duke shtuar se gjetja e një zgjidhjeje përfundimtare për tregtarët ambulantë është përgjegjësi e institucioneve lokale dhe qendrore.
Prefekti i Korçës Dhori Spirollari, lidhur me situatën e krijuar në rrugët kombëtare nga aktiviteti i ambulantëve thotë:
“Problematika e krijuar nga tregëtarët ambulantë është kompetencë dhe përgjegjësi e Autoritetit Rrugor Shqiptar, por gjithësesi Institucioni i Prefektit, ka kërkuar me këmbëngulje në mënyrë të përsëritur nga bashkitë e Qarkut, që të sigurojnë tregje për këta tregëtarë dhe që shtetasit që përdorin rrugët nacionale të qarkullojnë të sigurt”.
Largimi i tregtarëve ambulantë nga akset nacionale për ekspertin e sigurisë rrugore Lumturim Çorbaxhi është emergjencë dhe kërkon ndërhyrje të organizuar.
“Është e papranueshme dhe në kundërshtim me ligjin aktiviteti tregtar buzë rrugëve nacionale, i cili bëhet burim aksidentesh duke cënuar sigurinë rrugore, sidomos për juglindjen, ku gati gjysma e vitit është me mot të ftohtë dhe rrugët shpesh mbulohen nga akulli dhe ngricat. Duhet të merren masa për të hequr tezgat nga sheshpushimet, kryqëzimet apo kthesat, pasi aty mund të ndodhin në çdo çast aksidente dhe detyrimi i institucioneve përgjegjëse është që të parandalojnë ngjarjet”-sugjeron eksperti Çorbaxhi.