.

.

BallinaFaktometerE PavërtetëTre të pavërteta të përsëritura (dhe një devijim) nga kryeministri Rama 

Tre të pavërteta të përsëritura (dhe një devijim) nga kryeministri Rama 

Përpara një jave kryeministri Rama, gjatë një interviste televizive foli për një shumëllojshmëri temash. Ndër të tjera, ai u ndal në procesin e rindërtimit, paketën anti-shpifje dhe hapjen e negociatave. Disa prej deklaratave të kreut të qeverisë, të verifikuara edhe më herët si të pavërteta nga “Faktoje”, rezultojnë të jenë përsëritur nga ai.


Gjatë një interviste në RTV Ora, kryeministri Rama iu rikthye deklaratave për disa tema për të cilat kishte folur edhe më herët dhe që “Faktoje”, pas verifikimit, i kishte kategorizuar si të pavërteta.

1. Paketa anti-shpifje

I përqëndruar fillimisht në çështjen e lirisë së mediave dhe konkretisht paketën anti-shpifje, kryeministri Rama tha se kjo nuk është një përpjekje për të mbyllur portalet.

“Kjo është një përpjekje për të rregulluar [mediat] online dhe nuk është aspak një përpjekje për të mbyllur portale. S’ka fare për shembull mbyllje portalesh në ligj. Fare!”- u shpreh kreu i ekzekutivit.

Në një artikull të publikuar më 30 janar 2020 nga “Faktoje”, ne konstatojmë se kompetencat e AMA-s për ekzekutimin e vendimeve dhe akti përmbarimor pa u shprehur gjykata falimentojnë financiarisht redaksitë. Pra, pavarësisht se në ligj nuk thuhet specifikisht që mbyll portalet, de facto e ka kompentencën “për t’u vënë çelësin”.

2. Negociatat e hapura me kushte

Më pas, kryeministri Rama është pyetur edhe për negociatat e hapura me Bashkimin Europian, duke iu vënë atij në dukje se kjo gjë ndodhi me 15 kushte. Kreu i qeverisë e mohoi këtë fakt:

“S’kanë qenë kurrë 15 [kushte].”

“Faktoje” ka publikuar një artikull më 17 qershor të këtij viti, ku jo vetëm listohen 15 kushtet e Bashkimit Europian për anëtarësimin e vendit tonë, por vihet gjithashtu në pah se as gjysma prej tyre nuk janë plotësuar.

3. Procesi i rindërtimit

Së fundmi, kryeministri Rama i pyetur për sa i përket procesit të rindërtimit dhe i vendosur përballë premtimit të pambajtur se të gjithë qytetarët e mbetur pa strehë do të futeshin në shtëpitë e reja brenda Vitit të Ri 2021, e mohoi edhe këtë fakt. Ai tha se premtimi ishte vetëm për banorët e zonave rurale:

Mundësia, sipas parashikimeve tona, ishte që banesat individuale, jo pallatet, banesat individuale, pra këto që janë në zonën po themi, suburbane ose në zonën rurale, të mund të mbaroheshin brenda Vitit të Ri, por na hyri në mes Covid-i.”

Në një artikull të publikuar nga “Faktoje” më 14 maj të këtij viti ne shkruajmë për vonesat e zvarritjet që po pëson procesi i rindërtimit, duke theksuar se dy premtimet e para të dhëna nga kryeministri Rama menjëherë pas tërmetit, tregonin zotimin që çdo banor të futet në shtëpi të re brenda vitit 2020.

4. Covid-19 frenoi procesin e rindërtimit

Pas 3 të pavërtetave që listuam më sipër, konstatuam edhe një devijim të kreut të qeverisë. Ndërsa fliste për rindërtimin, ai tha që ky proces u ndërpre nga Covid-i.

“Hyrja në mes e Covid-it megjithatë në periudhën 2 muaj e ca mbyllje dhe frenim të shumë proceseve, se proceset kanë qenë të lidhura edhe me arkitektë dhe projektues të huaj, plus gjithë regjimi i punës ndryshoi dhe ajo e bëri të pamundur” – tha zoti Rama.

Më 25 gusht, “Faktoje” publikoi një artikull, i cili ishte i përqëndruar në ndikimin që pandemia pati për rindërtimin. Vetëm pak ditë pasi vendi ynë filloi “luftën me armikun e padukshëm”, kryeministri Rama nxitoi të deklaronte se plani për rindërtimin nuk do të shtyhej dhe nuk do të ndryshonte. Por faktet më vonë treguan të kundërtën.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img