Fondi Shqiptar i Zhvillimit, njësi zbatuese për shumicën e projekteve në procesin e rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit, dërgoi në gjyq Komisionerin e të Drejtës për Informim. Ky i fundit urdhëroi FSHZH- në të kthente përgjigjet e detajuara, siç i kërkonte Faktoje. Sipas ekspertëve ligjorë, dërgimi në gjyq mbetet një truk i institucioneve, për të fituar kohë deri sa informacioni të “kalbet” e të mos ketë më interes as për gazetarin e as për publikun.
Gjatë verifikimit dhe monitorimit të procesit të rindërtimit, pas tërmetit të 26 nëntorit, Faktoje i është drejtuar rregullisht me kërkesa zyrtare për informacion institucioneve përgjegjëse.
Mes tyre është edhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) si një nga njësitë kryesore zbatuese e projekteve të rindërtimit, përgjegjëse për pjesën dërrmuese të objekteve të reja jashtë territorit të Bashkisë Tiranë.
Më datë 23 shkurt 2021 Faktoje i dërgoi kërkesën e radhës kësaj agjencie, ku interesohej, ndër të tjera, për detajimin e planit buxhetor dhe realizimin e tij për pagesat e kryera, në nivel projekti, së bashku me fondet e alokuara me VKM për të cilat FSHZH është njësi zbatuese.
Kërkesa për informacion dërguar FSHZH, 23 shkurt 2021
FSHZH na ktheu një përgjigje të paplotë më datë 11 mars 2021, pak ditë pas skadimit të afatit ligjor prej 10 ditësh. FSHZH na këshillonte të konsultoheshim me faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik për pikat 3, 4 dhe 6, pavarësisht se si njësi zbatuese duhet ta ketë këtë informacion në dispozicion, në mënyrë që të ndjekë procesin.
Përgjigja e FSHZH, 11 mars 2021
Pas ankimimit te Komisioneri për të Drejtën e Informimit se përgjigja ishte e paplotë, ndërkohë që Faktoje priste përgjigjen e detajuar për pyetjet, u njoftuam për një seancë dëgjimore me FSHZH dhe Komisionerin, e cila u mbajt më 13 prill 2021. Pasi dëgjoi të dyja palët, Komisioneri i dha të drejtë Faktojes dhe i kërkoi FSHZH të vinte në dispozicion informacionin e kërkuar brenda 24 orësh. Informacion që nuk erdhi nga FSHZH as në 14 prill.
E-mail dërguar Komisionerit dhe koordinatorit për informim të FSHZH, 15 prill 2021
Dy ditë më vonë, zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit doli me vendimin nr. 24 , përmes të cilit urdhëroi sërish autoritetin publik të vendoste në dispozicion të Faktoje dokumentacionin e kërkuar prej saj që në muajin shkurt.
Vendimi nr. 24 i Komisionerit për të Drejtën e Informimit, datë 16 prill 2021
FSHZH jo vetëm nuk na vuri në dispozicion informacionin, por hodhi në gjyq Komisionerin për qëndrim të njëanshëm në favor të Faktoje. Në objektin e kërkesë-padisë, FSHZH kërkon anulimin e Vendimit nr. 24 të datës 16.04.2021, që e detyronte këtë institucion t’i jepte Faktojes dokumentacionin e kërkuar.
Seanca e gjyqit, me paditës FSHZH dhe të paditur Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe ku Faktoje është ftuar si palë e interesuar, do të mbahet më 23 shtator 2021 në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë.
Përfaqësues të zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit thanë për Faktoje se ankimi në Gjykatën Administrative Tiranë është një procedurë krejtësisht normale, e cila parashikohet edhe në vendimet që nxjerr Komisioneri (pika 3 në Vendimin nr. 24, të ilustruar më sipër). Sipas tij, palët kanë të drejtë që brenda një kohe të caktuar të ankimojnë vendimet e Komisionerit, të cilat nuk kanë karakter ekzekutiv për sa i përket Ligjit për të Drejtën e Informimit.
“Në parim, në shumicën absolute të rasteve, gjykata ka lënë në fuqi vendimin e Komisionerit.” – u shpreh përfaqësuesi i zyrës së Komisionerit për Faktoje.
Nga përvoja e deritanishme e Faktojes, kur vjen fjala tek zbatueshmëria e ligjit Ligjit për të Drejtën për Informim, konstatojmë se po përsëritet fenomeni i ushtrimit të presionit ndaj institucioneve që i japin të drejtë medias. Pak muaj më parë, ishte Presidenca, që në kundërshtim me vendimin e gjykatës, jo vetëm nuk i dërgoi Faktojes faturat për udhëtimet jashtë vendit të titullarit, por me anë të shkresave zyrtare ushtroi presion ndaj përmbarimit i cili kërkoi të ekzekutojë vendimin e gjykatës.
Por çfarë rreziku përbën për të drejtën e informimit përsëritja e këtij precedenti, kur një agjenci shtetërore refuzon të japë informacionin e madje dërgon në gjyq institucionin e Komisionerit?
Faktoje kontaktoi me avokaten Irena Dule, nga qendra Res Publica, e cila bëri të qartë se dërgimi i këtyre çështjeve para gjykatës bëhet me synimin për të “kalbur” informacionin deri sa të mos ketë interes për gazetarin, ndërsa theksoi se Komisioneri është një organ thuajse gjyqësor që ka specializimin e duhur për të vlerësuar situatën.
“Në përgjithësi e drejta e informimit nuk respektohet nga organet publike, sidomos kur informacioni që kërkohet është sensitiv. Në parim nuk ka asnjë problem që zyra e Komisionerit të dërgohet në gjyq për një vendim që konsiderohet i padrejtë apo që cënon një interes tjetër, por dërgimi i këtyre çështjeve para gjykatës ka për qëllim vijimin e veprimtarisë në mungesë transparence, pasi për sa kohë gjyqi zgjat, Vendimi i Komisionerit nuk mund të zbatohet dhe informacioni pengohet. Komisioneri për të Drejtën e Informimit është një organ thuajse gjyqësor që ka specializimin e duhur për të vlerësuar nëse informacioni që kërkohet krijon konflikt me ndonjë të drejtë tjetër dhe nëse po, cili është interesi publik që në cdo rast prevalon. Pas vlerësimit të Komisionerit në këtë dritë, siç ka ndodhur edhe në rastin tuaj, organi publik nuk mund të sjellë argumente të tillë qe vërtet ta rrëzojnë vendimin e Komisionerit nëpërmjet gjykatës. Pra, dërgimi në gjyq mbetet një truk për të fituar kohë deri sa informacioni të mos ketë më interes as për gazetarin e as për publikun.” – tha ajo për Faktoje.
Deri tani Faktoje i ka dërguar të paktën 9 kërkesa për informacion Fondit Shqiptar të Zhvillimit për procesin e rindërtimit, pasi ky institucion është njësi zbatuese. Sipas raportimit të ministrit të Shtetit për Rindërtim, zotit Arben Ahmetaj, FSHZH është njësi zbatuese për 35 kantiere objektesh arsimore (në proces pune që nga dhjetori 2020), 1389 kantiere banesash individuale, dhe 24 kantiere banesash kolektive (në punë që nga dhjetori 2020). Deri në këto momente, ashtu siç kemi raportuar përgjatë viteve 2020 dhe 2021, pjesa dërrmuese e afateve të vendosura për ndërtimet e reja (një pjesë e madhe e të cilave kanë FSHZH-në një për të siguruar transparence dhe llogaridhënie si zbatuese), janë shkelur.
Faktoje që ka pjesë të misionit të nxisë transparencën dhe llogaridhënien, po ndjek paralelisht procesin e rindërtimit për shkak të impaktit madhor në nivel fondesh (rreth 65 miliardë lekë nga buxheti i shtetit në 3 vjet) dhe në aspektin njerëzor, pasi qindra famijle presin ende të hyjnë në banesat e reja, gati dy vjet nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.