Pretendimi: Kjo video tregon prodhimin e vezëve plastike që shiten në markete

Verdikti: E pavërtetë

——————————————————–

Një video që ka marrë mbi 1 mijë pëlqime në rrjetet sociale shqipfolëse pretendohet se tregon procesin e prodhimit të vezëve ‘fallco’ që na shiten në markete.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Reverse Image Search, Faktoje gjeti se pjesa e parë e videos është shkëputur nga një video më e gjatë, e cila tregon procesin e prodhimit të ‘vezëve shekullore’, një ushqim tradicional i kuzhinës aziatike. Video të tjera që tregojnë se si prodhohen vezët shekullore shfaqin të njejtin proces.

Vezët shekullore bëhen duke futur vezët në një përzierje balte, hiri, kripe, gëlqereje të djegur dhe lëvoresh orizi ku mbahen për disa javë ose muaj. Gjatë këtij procesi, e verdha e vezës merr një ngjyrë të gjelbër të errët, ndërsa e bardha e vezës bëhet kafe e errët dhe gjysmë e tejdukshme.

Një vezë shekullore e ndarë në dysh

Ndërkaq, pjesa tjetër e videos së vezëve ‘fallco’ tregon procesin e prodhimit të vezëve lodër.

Me anë të një kërkimi me Google Reverse Image Search, Faktoje gjeti se klipi në pjesën e dytë të videos, së bashku me pretendimin se ai tregon prodhimin e vezëve artificiale, ka dalë në lajmet kineze që në vitin 2018.

Në atë kohë, autoritetet kineze deklaruan se vezët në video ishin lodra. Për të argumentuar këtë, ato vunë në dukje etiketat që duken në cep të videos.

Faktoje arriti të gjejë një produkt të ngjashëm në internet, një lodër me pamjen e vezës, e cila mban dhe një etiketë të ngjashme me atë në video.