Pretendimi: Aktori Tom Hanks u largua nga ShBA pas fitores së zgjedhjeve nga Trump

Verdikti: E pavërtetë

Pas fitores së zgjedhjeve presidenciale nga Donald Trump, në rrjetet sociale po qarkullojnë lajme të pabazuara për largimin nga Shtetet e Bashkuara të figurave publike që kanë shfaqur mbështetjen e tyre ndaj demokratëve. Një prej këtyre figurave që pretendohet se ka përgatitur tashmë valixhet është dhe aktori Tom Hanks. Këtë vendim të tij për t’u larguar është lidhur në këto pastime edhe me përfshirjen në listat e festive abusive me pedofilin Jeffrey Epstein dhe reperin P. Diddy.

Tom Hanks thotë se ai u largua nga SHBA për shkak të Trump… por disa dyshojnë se është për shkak se ai është në listat e Epstein dhe Diddy”-shkruajnë përdorues në rrjetet sociale.

Postimet e shpërndara në rrjetet sociale

Ne bëmë një kërkim në lidhje me këtë pretendime dhe shihet se shkak për këto informacione të shpërndara ka qenë një postim i pa mbështetur në prova në TikTok

Ndër të tjera në këtë postim shkruhej: “Hanks zyrtarisht u largua nga vendi”. Mirëpo, thashethemet për largimin e Hanks nga ShBA-të nuk janë një gjë e re. Edhe në janar të këtij viti, në rrjetet sociale qarkulluan thashetheme se aktori kishte lënë Amerikën për të shkuar në Izrael, pasi u publikua një listë e udhëtarëve me avionin privat të famëkeqit Jefrey Epstein. Mirëpo, pretendimet u verifikuan asokohe nga kolegët e Reuters, duke dëshmuar se ishin thjesht informacione të fabrikuara.

Ndërsa, para zgjedhjeve në ShBA, u bë viral një postim në rrjetin X, ku pretendohej se Hanks kishte njoftuar se do të largohej nga Shtetet e Bashkuara nëse Donald Trump do të rizgjidhej president në vitin 2024.

Pavarësisht se Tom Hanks e ka kundërshtuar dhe kritikuar Trump, nuk ka asnjë të dhënë të besueshme për të mbështetur thashethemet se ai do të largohej nga vendi në rast të një fitoreje.

Në një intervistë për CNN në qershor të vitit 2024, Hanks u pyet në lidhje me mendimin e tiij nëse Trump do të merrte një mandat të dytë. Në lidhje me këtë çështje ai u shpreh se: “Ka gjithmonë një arsye për t’u shqetësuar për mandatin e dytë”.

I pyetur nëse ai shqetësohej për të ardhmen e ShBA-së, Hanks vuri në dukje se si ai kishte besim në vendin e tij dhe shoqëri të tjera të ngjashme perëndimore “për t’u kthyer drejt asaj që është e drejtë”.

Në fushatën e parë presidenciale të Trump në tetor 2016, Hanks tha për BBC se do të ishte një “ditë e errët për planetin Tokë” nëse kandidati republikan fitonte mandatin e tij të parë, duke mos i kursyer sulmet dhe akuzat në drejtim të Trump.

Veç kësaj, mediat e huaja kanë publikuar një listë të gjatë të personazheve të njohur që do të linin vendin nëse Trump zgjidhej president, por emri i Tom Hanks nuk ka qenë kurrë pjesë e këtyre listave. 

Edhe në verifikimet e kryera nga kolegët e mediave të huaja, tregojnë se Hanks e ka bërë të qartë se ai nuk ka plane të largohet nga ShBA, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve.