Vizita e presidentit francez Emmanuel Macron në Kinë është raportuar në një media shqiptare si një “veprim shokues” dhe “trullosje” nga ana e tij. Verifikimi i “Faktoje” sjell në kontekst titullin e ekzagjeruar për të tërhequr sa më shumë klikime.
———————————–
Një artikull i 6 prillit nga portali Sot.com.al zgjon kuriozitetin e lexuesit duke pyetur: “Çfarë po ndodh me presidentin e Francës?” Titulli më pas vijon duke deklaruar: “Trulloset Macron dhe bën veprimin shokues me Kinën për ta ‘sjellë në vete Rusinë’”
Megjithatë, lexuesi kurioz që pret të zbulojë “veprimin shokues” që ka shkaktuar “trullosja” e presidentit francez do të zhgënjehet.
Në brendi të artikullit shpjegohet veç se Macron ka vizituar Kinën, ku është pritur nga homologu i tij kinez Xi Jinping. Ata u përshendetën nga një paradë ushtarake në Pekin, përpara se të hynin në bisedime me dyer të mbyllura.
Gjatë kësaj vizite, Macron mbajti linjën e BE mbi papranueshmërinë e agresionit rus në Ukrainë. Ai deklaroi se e dinte që mund të mbështetej tek Xi për të arsyetuar me Rusinë dhe për t’i dhënë fund luftës.
Në këtë vizitë, Macron u shoqërua dhe nga presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, e cila foli gjithashtu për ndaljen e luftës në Ukrainë dhe kontributin që Kina mund të japë për këtë qëllim.
Për të kuptuar më mirë se ku qëndron “trullosja” e Macron apo për të zbuluar ndonjë “veprim shokues” të tij, “Faktoje” u përpoq të gjente burimin e këtij lajmi, i cili nuk zbulohet në artikull.
Me anë të Google Translate, përkthyem paragrafin e parë të artikullit nga shqip në anglisht.
Më pas, futëm paragrafin e përkthyer në motorin e kërkimit të Google.
Nga ky kërkim, rezulton se lajmi i Sot.com.al është përkthyer, me anë të Google Translate, nga një artikull në anglisht i BBC.
Megjithatë, artikulli i BBC mban titullin “Macron i ka shpresat tek Xi për ‘ta sjellë Rusinë në vete’”.
Duket se i vetmi element origjinal i artikullit të Sot.com.al është titulli sensacionalist dhe dizinformues, i hartuar specifikisht për të mbledhur sa më shumë klikime.