Pretendimi: Vajza e varur në litar tronditi banorët në Liqenin Artificial të Tiranës
Verdikti: Mungon konteksti
————————————————–
“Ngjarje e çuditshme në Tiranë/ Vajza e varur në litar trondit banorët në Liqenin Artificial”, ngre alarmin titulli i portalit “Shqipëria Ime”. I ndarë më tej, në 19 janar në rrjetin social Facebook, ky lajm ka mbledhur plot 755 mijë shikime nga përdorues të ndryshëm që janë bërë kuriozë nga titulli.
Lexuesit, megjithatë, nuk duhet të shqetësohen. Përtej titullit që jep përshtypjen se një ngjarje e rëndë ka ndodhur, në brendinë e artikullit sqarohet se bëhet fjalë për një performancë akrobatike.
Pamjet e akrobacisë pranë digës së Liqenit artificial janë publikuar edhe nga profilet në rrjetet sociale të televizionit Euronews, por duke shpjeguar qartazi se bëhej fjalë për një “varje për të dhuruar spektakël”. E pyetur nga disa prej miqve të saj, akrobatja Fiona Rushiti konfirmoi se ishte ajo artistja që dhuroi këtë spektakël të veçantë. Rushiti është e njohur për akrobacitë e saj artistike që janë bërë pjesë e organizimeve të ndryshme festive publike dhe private.
‘Ngjarja’ është keqpërfaqësuar nga titulli sensacionalist i artikullit me qëllim tërheqjen e vëmendjes së lexuesve dhe mbledhjen e klikimeve. Ky titull përhap panik të panevojshëm dhe dezinformon.
Kujtojmë se një ngjarje e rëndë e llojit që aludon titulli ka ndodhur vërtet në vitin 2021.