Pretendimi: Kreu i PD Sali Berisha ka zbuluar autorin e vdekjes së Artan Lames

Verdikti: E pavërtetë

——————————————————————

Pak ditë pas lajmit të vdekjes së publicistit Artan Lame më 23 maj 2025, një video e botuar në Youtube nga kanali “Fakte Interesante” pretendon se kreu i PD Sali Berisha ka zbuluar autorin e vdekjes së tij.

Në brendësi të videos zbulohet shumë lehtë se kemi të bëjmë me një lajm të rremë, që ka për synim të tërheqë interesin e përdoruesve dhe rrisë klikimet me qëllim përfitime të mëtejshme marketingu nga kanali në Youtube.

Video nuk zbulon asnjë autor, madje as nuk përmend shkakun e vdekjes.

Artan Lame u nda nga jeta në moshën 58-vjeçare pas një ndërhyrje të vështirë në zemër.

I njejti kanal Youtube ka botuar video të ngjashme, me tituj sensacionalistë, që tentonin të shfrytëzonin popullaritetin e temave të përfolura duke pretenduar në mënyrë të rreme se Parashqevi Simaku u kthye në Shqipëri me Behgjet Pacollin, se ish-deputetin e ndjerë të PD Gerti Bogdani e kishin helmuar dhe se mamaja e politikanit të ndjerë Sokol Olldashi kishte zbuluar vrasësin e tij.

Në fakt, nga një vështrim i përgjithshëm i kanalit, duket qartë se titujt të pabesueshëm sensacionalistë rreth temave me interes, shpesh të shoqëruar me foto të montuara, është modus operandi i tij për të tërhequr sa më shumë shikime.