Pretendimi: Një tjetër ngjarje tronditëse ka ndodhur në gjykatat shqiptare

Verdikti: Mungon konteksti

———————————————————-

“Një tjetër ngjarje tronditëse në gjykatat shqiptare” lajmëron titulli i një artikulli të botuar më 19 tetor në portalin Rrjeti-social-shqiptar. Lajmi shoqërohet me një foto të gjykatës së Apelit në Tiranë dhe policë të shumtë në hyrjen e saj.

Duke qenë se artikulli vjen disa ditë pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit më 6 tetor, lexuesja e shqetësuar paramendon se një tjetër incident i tillë ka ndodhur.

Megjithatë, shqetësimi i lexueses me gjasa do t’i lërë vend acarimit kur ajo të klikojë për të lexuar artikullin, vetëm për të zbuluar se në fakt nuk bëhet fjalë për ndonjë vrasje apo goditje, por për një fjalë goje.

Kështu, siç shpjegohet në brendinë e artikullit, “një person i identifikuar si Gentian M. u shoqërua nga policia” pasi i tha rojes së sigurisë së Gjykatës së Apelit: “Jeni për t’u vrarë të gjithë.”

Fatmirësisht, ndryshe nga ç’nënkupton titulli i artikullit, “ngjarja tronditëse” në fjalë nuk ka patur viktima apo të dëmtuar fizikisht.

Titulli i mësipërm dukshëm synon të përfitojë klikime duke tërhequr interesin dhe vëmendjen e një publiku tashmë të tronditur nga një ngjarje e rëndë si vrasja e gjyqtarit Kalaja në sallën e gjyqit. Ky titull përhap panik të panevojshëm dhe dezinformon.