Pretendimi: Ndahet nga jeta ish-kryeministri “baba i demokracisë”, reagon urgjent presidenti.
Verdikti: Mungon konteksti
————————————————————
“E trishte! ‘Babai i demokracise…’ – Ndahet nga jeta ish KRYEMINISTRI, reagon urgjent PRESIDENTI,” lajmëron titulli i artikullit të portalit Noxblog.

Megjithatë, lexuesit që mendojnë se një ish-kryeministër shqiptar është ndarë nga jeta nuk duhet të shqetësohen.
Në brendi të artikullit, sqarohet se bëhet fjalë për ish-kryeministrin e Kenias, Raila Odinga, i cili ka ndërruar jetë më 15 tetor 2025, në moshën 80 vjeçare.
Megjithatë, titulli i vendosur me qëllim mbledhjen e sa më shumë klikimeve e bën lexuesin të mendojë se tragjedia ka ndodhur në Shqipëri, duke shkaktuar alarm të panevojshëm tek publiku shqiptar.
Komentuesit në postimin e portalit gjithashtu shprehen të frustruar me hilenë e “karremit të klikimeve,” duke u ankuar pikërisht se titulli keqinformues i kishte bërë të mendonin se ishte një politikan shqiptar që kishte vdekur.