.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookTitujt e gazetave të kohës nuk provojnë mashtrimin mbi Titanikun

Titujt e gazetave të kohës nuk provojnë mashtrimin mbi Titanikun

Pretendimi: Këto tituj gazetash të vjetra që raportojnë se asnjë jetë nuk u humb mbi anijen Titanik provojnë se historia që na është thënë për mbytjen e anijes është e rreme

Verdikti: Mungon konteksti

—————————————————————–

Në rrjetet konspiracioniste qarkullon një imazh titujsh të vjetër gazetash që raportojnë se asnjë pasagjer i anijes famëkeqe Titanik nuk kishte vdekur. Këto tituj sillen si provë e një komploti të fshehtë për ndryshimin e historisë.

Në fakt, shpjegimi për këto tituj është më banal: gazetari e keqe.

Titujt e mësipërm janë të vërtetë, dhe jo të vetmit nga ajo kohë. Ditën pas mbytjes së Titanikut, gazeta nga e gjithë botë raportuan se të gjithë pasagjerët në bord ishin shpëtuar. 

Transmetuesi telegrafik i firmës Marconi ishte lidhja e vetme e anijes Titanik me pjesën tjetër të botës. Anijet e tjera në afërsi të saj përdornin pajisje të ngjashme. Mesazhet e furishme që shpërthyen në orët e para e 15 prillit 1912 ishin kaotike. 

Gjatë komunikimit të panikuar, dikush kishte pyetur nëse pasagjerët ishin të sigurt. Përgjigja ishte se anija po transportohej për në Halifax dhe të gjithë ishin mirë. Megjithatë, as pyetja dhe as përgjigja e dëgjuar gjatë transmetimit nuk i referoheshin Titanikut dhe pasagjerëve të saj. Në fakt, bëhej fjalë për një anije tjetër që ishte në vështirësi dhe po transportohej vërtet në Halifax.

Kur kjo ra në vesh të medias, keqinformimi u përhap ndërkombëtarisht. 

Sipas Christopher Sullivan nga Associated Press, historianët e medias e krahasuan këtë fenomen me disa nga raportet e hershme të 11 shtatorit 2001. “Në fillim, kur historia sapo po zhvillohet, ka kaq shumë konfuzion dhe të gjithë po bëjnë gjithçka që munden për të kapur çdo informacion,” tha ai.

Gazetat në Amerikë dukej se përdornin avantazhin e tyre prej gjashtë orësh shtesë përpara botimit, për shkak të diferencës kohore, për të krijuar një pamje më të qartë të asaj që ndodhi sesa homologët e tyre britanikë. Në të njëjtën ditë që britanikja Daily Mail pretendoi “Nuk ka jetë të humbura”, gazeta New York American shkroi “1500 deri në 1800 të vdekur.” Faqja e parë e New York Times përfshinte “ndoshta 1250 të vdekur” dhe një listë të pjesshme të të mbijetuarve. Washington Post botoi “Një mijë e tetëqind shpirtra të humbur”, një citim i marrë nga një transmetim radio nga anija motër e Titanikut, The Olympic.

Gazeta britanike The Guardian raportoi më 16 prill 1912:

“Lajme kontradiktore, alarmante dhe qetësuese, ishin të vazhdueshme ditën e djeshme. Edhe pas mesnate u tha se të gjithë pasagjerët ishin të sigurt. Të gjitha raportet, natyrisht, vareshin nga telegramet me valë në distanca të mëdha.

Mbrëmë vonë, zyrtarët e White Star [kompanisë që operonte Titanikun] në New York njoftuan se ishte marrë një mesazh ku thuhej se Titaniku u mbyt në orën 2:20 të mëngjesit të djeshëm pasi të gjithë pasagjerët dhe ekuipazhi i saj ishin transferuar në një anije tjetër. Më vonë ata pranuan se shumë jetë kishin humbur. Një mesazh jozyrtar nga Cape Race, Newfoundland, thoshte se vetëm 675 janë shpëtuar nga 2,200 deri në 2,400 persona në bord. Kjo në një farë mase u konfirmua më vonë nga zyrtarët e White Star në Liverpool, të cilët thanë se kishin frikë se raporti do të rezultonte i vërtetë. Duke supozuar se vetëm 675 nga pasagjerët dhe ekuipazhi janë shpëtuar, dhe duke marrë vlerësimin më të vogël të numrit të njerëzve në bord, fatkeqësia është një nga më të tmerrshmet në historinë e lundrimit, pasi të paktën 1500 jetë kanë humbur.”

Numri i saktë i personave të humbur në Titanik nuk dihet. Listat origjinale të pasagjerëve dhe ekuipazhit u bënë të pasakta nga gabimet drejtshkrimore, mangësitë, pseudonimet dhe dështimi për të numëruar muzikantët dhe punonjës të tjerë të kontraktuar si pasagjerë apo anëtarë ekuipazhi. Sidoqoftë, përgjithësisht besohet se nga afërsisht 2,200 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit të anijes, rreth 1,500 njerëz vdiqën kur anija u fundos. Sipas komitetit amerikan që hetonte fundosjen, 1517 njerëz humbën jetën. Homologu i tij britanik përcaktoi se 1503 vdiqën. Ekuipazhi pësoi më shumë viktima, me rreth 700 viktima. Klasa e tretë gjithashtu vuajti shumë, pasi vetëm 174 nga rreth 710 pasagjerët e saj mbijetuan.

Gjeni një pasqyrë të plotë të viktimave të Titanikut këtu.

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img