Pretendimi: Një anije aliene po vjen me shpejtësi drejt Tokës dhe do të mbërrijë pas 116 ditësh

Verdikti: E paprovuar

————————————————————–

Një artikull i portalit shqiperia-ime jep alarmin se “një anije aliene po vjen me shpejtësi drejt tokës [dhe] 116 ditë përcaktojnë fatin e globit.”

Në brendinë e tekstit bëhet fjalë për “një objekt misterioz hapësinor, i quajtur 3I/ATLAS.”

Që në fjalinë e dytë të artikullit zbulohet se “profesori i Harvardit, Avi Loeb, spekulon se është një sondë aliene.” Pra, kemi të bëjmë me një spekulim, jo një fakt, siç lë të kuptohet titulli alarmues i shkrimit.

Sipas Administratës Kombëtare amerikane të Aeronautikës dhe Hapësirës (NASA), 3I/ATLAS u zbulua për herë të parë më 1 korrik 2025. Forma e rrugës së tij, që dallon nga orbita rreth Diellit, i lejoi astronomët të arrinin në përfundimin se është një objekt ndëryjor, i treti i njohur i asaj klase.

Ndërsa disa nga karakteristikat e tij ende nuk janë përcaktuar, komuniteti shkencor pajtohet që 3I/ATLAS është një kometë. Sipas NASA, “ai ka një bërthamë dhe një komë të akullt (një re e ndritshme gazi dhe pluhuri që rrethon një kometë ndërsa i afrohet Diellit). Kjo është arsyeja pse astronomët e kategorizojnë atë si një kometë.”

Agjencia hapësinore sqaron gjithashtu se 3I/ATLAS nuk përbën rrezik për Tokën. “Edhe pse trajektorja e objektit e sjell atë në sistemin e brendshëm diellor, ai nuk do t’i afrohet Tokës. Ndërsa kometa 3I/ATLAS udhëton nëpër sistemin diellor, ajo nuk do t’i afrohet planetit tonë më shumë se 1.6 au (rreth 150 milionë milje, ose 240 milionë kilometra,” shkruhet në faqen zyrtare të NASA.

Avi Loeb, një profesor i astrofizikës teorike në Universitetin e Harvardit dhe kolegët e tij publikuan një punim më 16 korrik duke analizuar objektin 3I/ATLAS brenda kontekstit të Paradoksit të Fermit dhe Hipotezës së Pyllit të Errët, të cilat kërkojnë t’i përgjigjen pyetjes: “Nëse universi është kaq i madh, ku janë të gjithë?”

Loeb ka tërhequr dhe më parë vëmendje me komentet e tij mbi objektet ndëryjore dhe mundësinë e jetës jashtëtokësore. Në vitin 2017, pas zbulimit të objektit të parë ndëryjor të regjistruar që hyri në sistemin diellor, Loeb tha The Guardian: “Me shumë mundësi është me origjinë natyrore, por për shkak se është kaq i veçantë, do të donim të kontrollonim nëse ka ndonjë shenjë të origjinës artificiale, siç janë sinjnalet e radios.” Në një libër të vitit 2021, ai propozoi që ‘Oumuamua, objekti i parë ndëryjor që kaloi nëpër sistemin tonë diellor, ishte një artefakt teknologjik jashtëtokësor. Shumë shkencëtarë e konsideruan këtë të pamundur. Hulumtimi i Loeb deri më tani është pritur me skepticizëm të konsiderueshëm nga shkencëtarë të tjerë, të cilët vënë në dyshim vlefshmërinë e punës së tij.

Kontaktuar nga kolegët e Lead Stories, Avi Loeb shpjegoi se teoria aliene ishte një lloj eksperimenti mendor, duke thënë: “E paraqita këtë mundësi për të inkurajuar vëzhguesit që janë të bindur se 3I/ATLAS është një kometë që të mbledhin sa më shumë të dhëna të jetë e mundur në një përpjekje për të më provuar gabim… Edhe nëse 49 nga 50 objektet ndëryjore të ardhshme që do të zbulohen nga Observatori Rubin do të rezultojnë të jenë kometa ose asteroide, i vetmi objekt i jashtëzakonshëm me origjinë teknologjike mund të ndryshojë të ardhmen e njerëzimit.”

Ai gjithashtu theksoi se një draft i njërit prej punimeve të tij që ende nuk i është nënshtruar një procesi rishikimi nga kolegët, “A është Objekti Ndëryjor 3I/ATLAS Teknologji Aliene?”, thotë:

“Ne theksojmë fuqimisht se kjo punë është kryesisht një ushtrim mësimor, që përmban vëzhgime interesante dhe rastësi të pazakonta që meritojnë të raportohen në literaturën shkencore. Skenari më i mundshëm është që 3I/ATLAS të jetë një objekt ndëryjor krejtësisht natyror, me shumë mundësi një kometë, dhe autorët presin të dhëna astronomike që konfirmojnë këtë origjinë më të mundshme.”

Pavarësisht këtyre spekulimeve, vetë autorët pranojnë se mungojnë provat e origjinës jashtëtokësore. Kjo mbështetet edhe nga shumica e komunitetit shkencor.

Hipoteza se 3I/ATLAS mund të arrinte në Tokë deri në nëntor nuk bazohej në rrugën e projektuar aktuale të objektit. Në vend të kësaj, autorët e punimit vlerësuan kohën e mbërritjes bazuar në manovrat që një anije teorike aliene mund të bënte duke përdorur gravitetin e Diellit ose Jupiterit për të lëshuar një anije të tillë në drejtim të Tokës.

Studime të tjera akademike mbi objektin në fjalë sugjerojnë gjithashtu se ai është një “kometë ndëryjore” dhe jo një “objekt alien.”

Në të njëjtën kohë, Loeb, i cili ka bërë dhe më parë pretendime të ngjashme të refuzuara nga komuniteti shkencor, tha:

“Komitetet e shkencëtarëve kryesorë që vendosin se si të ndajnë fondet federale shpesh i rezistojnë investimeve në kërkimin e inteligjencës jashtëtokësore duke argumentuar se është shumë e rrezikshme dhe mund të rezultojë në shpërdorimin e parave të taksapaguesve. Por nëse këta rishikues do të ishin mjaft të përulur për t’i pyetur taksapaguesit se për çfarë dëshirojnë të shpenzojnë paratë e tyre të taksave, ata do ta gjenin kërkimin e inteligjencës jashtëtokësore në krye të listës së prioriteteve. Kujdestaria dhe tallja nuk janë peizazhi që dëshiroja kur fillova karrierën time shkencore 45 vjet më parë…”

Chris Lintott, profesor i astrofizikës në Universitetin Oxford, e quajti teorinë e Loeb-it për përfshirjen e alienëve “absolutisht absurde,” duke vazhduar: “Është një kometë dhe asnjë rrezik. Është mjaft emocionuese që ne mund të studiojmë një objekt që u formua para se të lindte Dielli dhe nuk ka nevojë të shpikim histori idiote për të tërhequr vëmendjen.”

Jane Luu, profesore e astrofizikës në Universitetin e Oslos, theksoi se nuk është vetëm ajo ose disa njerëz të tjerë, por shumë shkencëtarë që aktualisht po studiojnë 3I/ATLAS. Ajo tha se nuk ka prova që mbështesin spekulimet rreth natyrës së 3I/ATLAS. “Vëzhgimet tona kanë treguar se është një kometë. Nuk i afrohet Tokës: Nuk është në një trajektore përplasjeje,” tha ajo.

David Jewitt, profesor i astronomisë në UCLA, i tha Lead Stories: “Kam parë shumë kometa dhe e tëra çfarë mund të them është se 3I më duket si një kometë.”

Jason Wright, profesor i astronomisë dhe astrofizikës në Universitetin Shtetëror Penn, kreu një analizë të detajuar të gabimeve të Loeb. Në artikullin e tij, ai vuri në dukje të meta të shumta metodologjike dhe i hodhi poshtë hipotezat e teknologjisë aliene si “kërkuese vëmendjeje.”

Ekspertët dhe astronomët e intervistuar nga Space.com i hedhin poshtë kategorikisht pretendimet e Loeb-it si “gjepura.” Ata theksojnë se vëzhgimet tregojnë qartë se 3I/ATLAS është një kometë ndëryjore natyrore, tipike për sa i përket aktivitetit dhe përbërjes. Ata besojnë se pretendimet e Loeb nuk kanë bazë shkencore ose vëzhguese.