Pretendimi: Seriali vizatimor “The Simpsons” parashikoi vdekjen e Papë Franceskut në 2025.
Verdikti: Mungon konteksti
—————————————-
Ndërsa Papë Francesku ishte shtruar në spital në fund të shkurtit 2025, një numër portalesh shqipfolëse kanë nxituar të raportojnë se vdekja e Papës ishte “parashikuar” nga seriali vizatimor “The Simpsons”. Për të shtuar më tepër nota dramatike, parashikimi për këtë humbje të klerit katolik është lidhur gjithashtu edhe me ardhjen e fundit të botës.
Artikujt e mësipërm i referohen një video që po qarkullon online që pretendohet se përmban pamje nga një episod i serialit vizatimor amerikan “The Simpsons” në të cilin parashikohet vdekja e Papë Franceskut në 2025.
Megjithatë, fansat e serialit do të dallojnë se personazhet në videon në fjalë, si Lisa Simpson, janë qartësisht të ndryshëm nga stili origjinal. Madje në disa raste Lisa shfaqet e “klonuar”. Homer dhe Marge janë ulur në divan me pesë fëmijë, përveç Bartit, ndërsa në filmin vizatimor fëmijët e çiftit janë tre: Barti dhe motrat Lisa dhe Megi. Për më tepër, duart e tyre janë vizatuar keq dhe shkrimet në video përmbajnë gabime të dukshme drejtshkrimore.
Pamje nga video
Në fakt, pamjet që shfaqen në video nuk janë transmetuar asnjëherë në asnjë episod të “The Simpsons”. Video u publikua fillimisht, më 16 shkurt 2025, nga një llogari TikTok që ndan përmbajtje të krijuar me programe të inteligjencës artificiale.
Në serialin “The Simpsons”, figura e Papës, dhe në veçanti ajo e Papë Franceskut, përmendet ose shfaqet në disa episode. Në episodin e parë të sezonit të 31 – transmetuar në shtator 2019 – spikeri i lajmeve Kent Brockman njofton lajmin për vdekjen e Papës. Pasi flet për protestat e studentëve të shkollës Springfield, Brockman thotë shkurt: “Në lajme të tjera, Papa ka vdekur”.
Spikeri nuk flet për shkakun e vdekjes së papës, nuk specifikon datën e vdekjes dhe në episodin origjinal ai ishte i veshur me një kostum ngjyrë tulle (ndërsa në video ai ka veshur një kostum blu). Imazhi i vetëm që shoqëron lajmin e njoftuar nga Brockman është një skenë krimi me trupin e Papës të vizatuar në tokë.
Episodi 1 i sezonit 31 të The Simpsons. Personazhi Kent Brockman njofton vdekjen e Papës.