.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookThe Simpsons nuk parashikuan skandalin në koncertin e Coldplay

The Simpsons nuk parashikuan skandalin në koncertin e Coldplay

Pretendimi: The Simpsons e parashikuan skandalin në koncertin e Coldplay

Verdikti: Mungon konteksti

—————————————————–

Në Korrik 2025, në media dhe rrjete sociale nisi të qarkullojë pretendimi se seriali vizatimor amerikan The Simpsons kishte parashikuar kapjen nga kamera në koncertin e Coldplay të një përqafimi intim mes ish-drejtorit ekzekutiv të kompanisë teknologjike Astronomer, Andy Byron, dhe drejtoreshës së burimeve njerëzore të kompanisë, Kristin Cabot.

Si provë për këtë citohet “një pamje e famshme e The Simpsons, ku Homer dhe Marge shfaqeshin në “kiss cam” në një episod të supozuar të vitit 2017 me titullin “Kiss Kiss.”

Megjithatë, një episod i tillë i serialit nuk ekziston. Një episod i The Simpsons me titull “Kiss Kiss, Bang Bangalore” ekziston, por ai është transmetuar në vitin 2006, jo 2017.

Një shikim i plotë i episodit në fjalë nuk zbuloi asnjë moment që mund të klasifikohej në mënyrë të arsyeshme si një parashikim ose një përputhje vizuale për imazhin që qarkullon në internet.

Me gjasa imazhi është manipuluar në mënyrë dixhitale, qoftë përmes inteligjencës artificiale gjeneruese ose një mjeti redaktimi dixhital si Photoshop. Sipas platformës së zbulimit të përmbajtjes së gjeneruar me inteligjencë artificiale (AI), Hive Moderation, me 99.9% imazhi ishte krijuar duke përdorur inteligjencën artificiale.

Për më tepër, Mashable Middle East raportoi se drejtuesi i serialit “The Simpsons”, Al Jean, u tha: “Ne shkruajmë satirë, jo profeci. Çdo ngjashmëri është rastësi e pastër.”

Megjithatë, më parë, seriali “The Simpsons” ka ‘parashikuar’ disa ngjarje, duke përfshirë këtu zgjedhjen e Donald Trump si president i ShBA në 2016, fituesin e një çmimi Nobel, dhe një grip të rrezikshëm që filloi në Azi, ndër të tjera

Kjo, sipas vetë autorëve të serialit, nuk vjen si pasojë e ndonjë aftësie mbinatyrore për të parë të ardhmen por thjesht si pasojë e faktit që seriali ka mbi 700 episode dhe transmetohet që nga viti 1989. “Nëse bën më shumë episode për më shumë dekada se gjithë serialet e tjera, do të parashikosh më shumë gjëra saktësisht,” tha autori Matt Selman. Ndërsa Bill Oakley, një ish-skenarist i The Simpson, tha për The Hollyëood Reporter se çfarë shihet nga disa si ‘parashikime’ të bëra nga seriali janë në fakt thjesht koinçidenca “sepse episodet janë aq të vjetra sa historia ripërsëritet. Shumica e këtyre episodeve janë bazuar në ngjarje të vërteta që kanë ndodhur në vitet ‘60, ‘70 ose ‘80.”

Faktoje ka përgënjeshtruar dhe më parë ‘parashikime’ të supozuara nga The Simpsons.

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img