Pas muajsh kërkimi, zhvillimi dhe testimi, The Check, një chatbot shumëgjuhësh për verifikimin e fakteve i fuqizuar nga inteligjenca artificiale (AI), ka përfunduar fazën e tij pilot. I udhëhequr nga organizatat e verifikimit të fakteve Newtral (Spanjë), Delfi (Lituani), Ostro (Slloveni), Lakmusz (Hungari) dhe Faktoje (Shqipëri), projekti synoi të eksploronte se si AI mund të mbështesë punën e verifikuesve të fakteve dhe të përmirësojë aksesin e publikut në informacion të verifikuar në disa gjuhë.

The Check është krijuar për të udhëhequr gjeneratën e ardhshme të chatbot-ëve të verifikimit të fakteve të bazuar në AI, të cilët i përgjigjen pyetjeve të përdoruesve në mënyrë të natyrshme dhe të saktë. Kjo do ta bëjë luftën kundër dezinformimit më efektive dhe më të shkallëzueshme në epokën e inteligjencës artifiliace.

I ndërtuar mbi një arkitekturë të quajtur retrieval-augmented generation (RAG), modeli kombinon fuqinë e AI-së me një bazë të dhënash të kuruar të verifikimeve të fakteve. Ai u lejon përdoruesve të bëjnë pyetje dhe të marrin përgjigje të qarta dhe transparente, të mbështetura nga burime të referuara.

Newtral udhëhoqi zhvillimin teknik të sistemit, duke siguruar që chatbot-i të mund të nxirrte informacionin përkatës nga një bazë të dhënash aktive me pretendime të verifikuara, duke ruajtur njëkohësisht saktësinë dhe shpjegueshmërinë. Chatbot-i u trajnua jo vetëm për të marrë informacionin e saktë, por edhe për të cituar burimet e tij – një veçori kyçe që e dallon nga mjete të tjera të drejtuara nga AI.

Bashkëpunim

Por teknologjia nuk mjaftonte e vetme. Forca e The Check vinte nga qasja e bazuar te komuniteti. Partnerët e konsorciumit – Delfi, Ostro, Lakmusz dhe Faktoje – luajtën një rol qendror në formësimin e aftësive shumëgjuhëshe të chatbot-it.

Verifikuesit e fakteve rishikuan dhe shënuan qindra përgjigje të gjeneruara nga AI, duke vlerësuar saktësinë, qartësinë dhe atribuimin e burimeve. Ky cikël praktik feedback-u ishte vendimtar për trajnimin e sistemit dhe identifikimin e rasteve problematike ku nevojiteshin përmirësime.

Mangësitë dhe sfidat

Një nga sfidat më të shpeshta ishte paaftësia e chatbot-it për të gjetur një verifikim fakti të përshtatshëm për t’iu përgjigjur një pyetjeje. Kjo nxori në pah një kufizim thelbësor: AI mund të tërheqë vetëm atë që ekziston në bazën e saj të të dhënave. Nëse nuk është publikuar asnjë verifikim për një pretendim të caktuar, chatbot-i ose qëndronte në heshtje ose nxirrte përmbajtje të lidhur vetëm në mënyrë të përgjithshme, por jo të drejtpërdrejtë me pyetjen. Kjo nënvizon rëndësinë e zgjerimit të databazave të strukturuara të verifikimit të fakteve dhe etiketimit të tyre me metadata më të detajuar për të përmirësuar mbulimin në të ardhmen.

Cilësia e përgjigjeve

Edhe kur chatbot-i jepte një përgjigje të saktë, ndonjëherë shfaqeshin probleme si: burime të papërputhshme ose të parëndësishme, gjuhë të gabuar, apo përmbajtje të sajuar. Këto gabime treguan se dhënia e një përgjigjeje me cilësi të lartë kërkon më shumë sesa saktësi faktike: kërkon gjithashtu përputhje të fortë midis përmbajtjes së marrë, gjuhës së pyetjes dhe strukturës së përgjigjes. Përmirësimi i filtrimit të burimeve në RAG, zbulimi i gjuhës dhe validimi i përgjigjeve ishin çelës për të minimizuar këto lloj gabimesh.

Përveç testimit të aftësive gjuhësore të mjetit, projekti ofroi njohuri të vlefshme mbi mënyrën se si AI mund të plotësojë punën e verifikuesve njerëzorë dhe të zgjerojë ndikimin e tyre. Duke identifikuar ku teknologjia ia del dhe ku ende has vështirësi (p.sh. në përballimin e pretendimeve të ndërlikuara apo të kontekstit lokal), ekipi hodhi themelet për mjete të ardhshme.

The Check është pjesë e një vale iniciativash në rritje që e shohin AI-në jo thjesht si sfidë në hapësirën e dezinformimit, por si pjesë të zgjidhjes.